FOTO/ Identifikohet personi që goditi Tedi Carën me shishe me ujë të ngrirë, teksa festonte për golin e shënuar

Një 47-vjeçar është autori i cili ka dhunuar me shishe me ujë të ngrirë futbollistin Kavajas të Partizanit, Tedi Cara. Policia e ka shpallur në kërkim dhe ka ngritur ndaj tij akuzën “Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit dhe ndërmjetësit sportiv”.


Tedi Cara ishte protagonist në minutën e 14-të me një gol shumë të bukur nga goditja e dënimit, por e shijoi vetëm për pak sekonda, sepse në momentin kur po shkonte të festonte te pankina, u godit nga një shishe dhe u gjakos.

Ai tregon se ka tri të çara në fytyrë dhe shtatë qepje gjithsej, teksa zbuloi në intervistën për “Panorama Sport” edhe detajin se shishja ishte me akull, çka e bën edhe më të dhunshëm këtë akt të tifozit, i cili është identifikuar dhe shpallur në kërkim.

Njoftimi i policise

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim, për veprën penale “Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit dhe ndërmjetësit sportiv”, shtetasin A. E., 47 vjeç, banues në Kukës, pasi gjatë ndeshjes së futbollit “Kukësi-Partizani”, të zhvilluar më datë 19.09.2022, në stadiumin “Kukës Arena”,  ka hedhur një send të fortë (shishe me ujë të ngrirë) në fushë që ka goditur njërin nga futbollistët, shtetasin T. C. Vijon puna për kapjen e tij.