FOTO/ Aksident i rëndë në punë, humb jetën i riu 19-vjeçar

Një aksident i rëndë ka ndodhur në portin e Durrësit, ku një punonjës 19 vjeç ka humbur jetën pasi është goditur nga një vinç.

Raportohet se punonjësi i terminalit në ngarkim-shkarkim është goditur aksidentalisht nga një vinç brenda portit. Edhe pse është dërguar për ndihmë mjekësore në spitalin e Durrësit, ai nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.

Ende nuk dihen rrethanat e aksidentit ndërsa policia dhe grupi hetimit kanë mbërritur në vendin për të hetuar e zbardhur ngjarjen.

Informacioni Paraprak:

Rreth orës 14:30, në sheshin e kontenierëve në Portin e Durrësit, është aksidentuar në punë shtetasi R. G., 19 vjeç, punëtor ngarkim-shkarkimi, i cili për pasojë ka ndërruar jetë në spital.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave.