Fondacioni “Mbreti Selman për Bamirësi” rikthehet kësaj radhe në Shqipëri me një tjetër projekt për bamirësi pas atij muajit të Ramazanit. Kësaj radhe falë edhe bashkëpunimit me Unionin e të Diplomuarve në Arabi, u mundësua realizimi i programit të kurbaneve duke i ardhur në ndihmë shtresave në nevojë si edhe disa kategorive të veçanta në vigjilje të festës së Kurban Barjamit.
Fondacioni “Mbreti Selman për Bamirësi dhe Ndihma Humanitare” me anë të Ambasadës së Arabisë Saudite në Shqipëri dhe në bashkëpunim me Unionin e të Diplomuarve në Arabinë Saudite, me rastin e festës së Kurban Bajramit nisi shpërndarjen e një kontigjenti të konsiderueshëm të kurbanëve në disa qytete.
Shpërndarja nisi në Tiranë e përfundoi në Vlorë, ku u përfshinë edhe qytete si Kavaja, Rrogozhina, Peqini e më gjërë. Ndër përfituesit e këtij projekti veç qendrave komunitare për Personat me Aftësi të Kufizuara në disa qytete të vendit, ishin gjithashtu disa institucione të vuajtjes së dënimit, ku u mundësua dhurimi i mishit të kurbanit dhe që shërbeu për shtrimin e drekës së bajramit duke krijuar sadopak një atmosferë tjetër festive në institucionet peniteciare.
Me anë të një ceremonie të organizuar në Kavajë, drejtues së disa institucioneve vlerësuan kontributin e dhënë nga Ambasada e Arabisë Saudite për realizimin e këtij projekti bamirës dhe humanitar.
Për të lançuar këtë nismë për bamirësi, përfaqësues të ambasadës në prani po ashtu edhe të institucioneve në rreth asistuan bashkarisht inspektimin e ambienteve të reja si dhe kushtet bashkëkohore të thertores “TAFA”, ku u mundësua realizimi në tërësi i këtij projekti.
Në aktivitetin e zhvilluar me këtë rast përshëndetën në emër të Unionit të të Diplomuarve në Arabinë Saudite, zoti Sedat Mahmudaj i cili falenderoi të gjithë të pranishmit dhe në veçanti përfaqësuesin e Ambasadës së Arabisë Saudite në Shqipëri, për gadishmërinë dhe kontributin e dhënë për bamirësi ndër vite në vendin tonë me qëllim ndihmën e popullit mik shqiptar.
“Sot një ditë e veçantë për Kavajën dhe miqtë e saj. Çdo kush gjeti kohën të prezantojë jo në emër të pozitës që ka, por në emër të misionit qytetarisë dhe të bamirësisë që ndjen në zemër për t`i shërbyer shtresave në nevojë. Ndaj edhe gjej rastin të falenderoj profesor Hamad el-Saj’arij, përfaqësuesin më të lartë të Ambasadës së Arabisë Saudite, i cili vjen sot për të përcjellë gjithashtu urimet e Mbretërisë së Arabisë Saudite për popullin shqiptar në ditën e Kurban Bajramit. Ndërkohë sot implementojmë një nga projeket më domethënëse gjatë këtyre ditëve. Njerëzit tek ne nuk presin sot vetëm urimet por diçka më tepër, ndaj le të bëhemi bashkë që t’i ndihmojmë atë komunitet njerëzish që sot mund të ndjehet i braktisur nga shoqëria. Ndaj na lind detyra, shtoi ai që të përpiqemi së bashku dhe të synojmë një Kavajë me nivel të ulët të varfërisë dhe me shifra sa më pak të nevojtarëve. Për ne sot prania e donatorëve në startimin e këtij projekti është një shenjë e mirë për perspektivën e bashkëpunimit që na pret në të ardhmen”, u shpreh Sedat Mahmudaj.
Teksa bëri një përshkrim të shkurtër të historikut së kontributeve dhe ndihmave që Mbretëria Saudite ka bërë në Kavajë, nënkryetari i Bashkisë Kavajë Guxim Kola, e falenderoi popullin saudit ndërsa shprehu gadishmërinë e bashkëpunimit edhe në shumë projekte të tjera në të ardhmen.
“E falenderoj përzemërsisht përfaqësuesin e Ambasadës së Arabisë Saudite për praninë e tij si edhe për vemendjen që tregon në ndihmë të shtresave në nevojë në zonën tonë. Bashkëpunimi i Bashkisë së Kavajës me autoritetet saudite ka qenë edhe më është i hershëm dhe daton që në vitin 1994. Në përgjigje të kërkesës së besimtarëve në qytetin e Kavajës por edhe të autoriteteve lokalë, të parët që do t`i përgjigjeshin lutjes për rindërtimin e xhamisë në qendër të qytetit pas rënies së diktaturës, do të ishin miqtë sauditë ata që nuk hezituan ti thonë “po” dëshirës së qytetarëve tanë. Por pas ndërtimit të saj, u pa nevoja për njerëz të cilët do të përcillnin fjalën e Zotit dhe stafi (klerikët) që ka sot dhe ka pasur ndër vite Xhamia Kubelie janë të arsimuar në universitetet më me emër të Arabinë Saudite. Ata vazhdojnë të përpiqen për të përcjellë jo vetëm fjalët e zotit por edhe fjalët e zemrës tek qytetarët kavajas. Ne jemi të hapur dhe presim edhe bashkëpunime të tjera. Po e mbyll fjalën time me një shprehje: “Kur buzëqesh jetimi ka buzëqeshur i gjithë njerzimi.”, tha z. Guxim Kola.
Në emër të Fondacionit Mbreti Selman, përgjegjësi për çështje fetare pranë Ambasadës së Arabisë Saudite në Tiranë, z. Hamad el-Saj’arij tha se projekti i Kurbanit është një nga shumë projkete që po realizohen në Shqipëri. Sipas tij, kjo tregon vëmendjen që ka populli Saudit ndaj popullit vëlla shqiptar.
“Gjej rastin t’ju falenderoj për ftesën dhe ndihem privilegjuar që ndodhem sot këtu në Kavajë për të marrë pjesë jo vetëm në një ceremoni por në një akt bamirësie e cila nuk është e panjohur. Bëhet fjalë për ardhjen e Qendrës apo Fondacionit të “Mbretit Selman për Bamirësi” në Shqipëri. Ne ishim para pak muajsh me ndihma ushqimore në prag të muajit të Ramazanit por edhe kjo e sotmja meriton vëmendjen tonë. Mbretëria e Arabisë Saudite do të jetë gjithmonë aktive në fushën e bamirësi. Ne nuk do të kursehemi asnjëherë për popullin vëlla dhe mik shqiptar dhe vazhdojmë të jemi në koherencë me gjithçka që ndodh në vend dhe sidomos duke i dhënë akoma më shumë mbështetje misionit të humanizmit dhe rolit që duhet të luajnë studentët pas diplomimit në universitetet tona, nismë dhe produkt i të cilit është edhe ky aktivitet që po marr sot pjesë në të. Ju Faleminderit të gjithëve”, Hamd el-Saj’arij.
Ndërkohë, Myftiu i Kavajës, Besnik Leçini si një ish i diplomuar në Mbretërinë Saudite u shpreh i lumtur që populli Saudit i gjendet pranë popullit shqiptar si në vështirësi dhe gëzime.
“Duke qenë se me shumë vëllezër që shërbejmë në Kavajë dhe më gjerë, kemi studiuar në Arabinë Saudite jemi të vetëdijshëm për angazhimin që bën Mbretëria e Arabisë Saudite ndër vite në ndihmë të muslimanëve anë e mbanë globit. Pjesë e atyre që kanë përfituar nga këto ndihma është edhe vendi jonë. Me të vërtetë, ka investime në infrastrukturë, ujësjellësa dhe ndihma që u jepen shtresave në nevojë. Vitet e fundit në bashkëpunim edhe me Komunitetin Musliman Shqiptar, Fondacioni “Mbretit Selman për bamirësi” ka ndarë mijëra pako ushqimore, ku prej tyre kanë përfituar edhe shumë familje pjesë e zonës që mbulon myftinia Kavajë. Pjesë e këtyre ndihmavë është edhe kjo që ne po realizojmë sot, ndarja e mishit të Kurbanit për familjet dhe shtresat në nevojë. Unë po e mbyll me një thënie të Pejgamberit s.a “Nuk e falenderon Allahun, ai që nuk falenderon njerëzit”. Unë do të falenderoja përzemërsisht të gjithë ata të cilët kanë kontribuar në realizimin e këtij projekti, siç është Fondacioni i “Mbretit Selman për Bamirësi” gjithashtu Ambasadën e Arabisë Saudite që në koordinim me Unionin e të diplomuarve përzgjodhën të gëzojnë njerëzit në këtë Kurban Bajram.”, tha Myftiu i Kavajës Besnik Lecini.
Projekti i shpërndarjes së Kurban Bajramit këtë vit, u mundësua falë bashkëpunimit midis Fondacionit “Mbreti Selman për Bamirësi” dhe Unionit të të Diplomuarve ku bëjnë pjesë figura të njohura të klerit fetar shqiptar, të cilët kanë studiuar ndër vite në Universitetet më të njohura në Arabinë Saudite.