Fitorja kundër Vikingurit, Tetova largon euforinë: S’ka përfunduar, tani vjen më e vështira

Pa portierin Sherri, turkun Ibrahimoglu dhe Spahiun, pavarësisht se ky i fundit nuk kishte luajtur kohët e fundit, apo edhe Zejnullain të skualifikuar, pakkush e mendonte se Egnatia do të fitonte në fushën e ekipit që udhëheq kampionatin islandez pas 15 javësh.

Por kampionët në fuqi të Shqipërisë ia dolën sërish të tregojnë vlera në Europë. Nuk ishte një fitore e vendosur nga ndonjë episod, siç ndodh shpesh në të tilla sfida, por falë lojës së mirë që rrogozhinasit zhvilluan në total. Trajneri Edlir Tetova ka merita të padiskutueshme në këtë sukses të Egnatias, pasi strategjia e zgjedhur prej tij në këtë ndeshje ishte ajo e duhura. Drame dhe Kasa ia arritën qëllimit ta mbanin skuadrën përpara dhe të mbështesnin mjaftueshëm sulmuesin Xhoel. Një 3-4-2-1 që ishte gati perfekte për të kaluar me rezultat pozitiv islandezët në aktivitet prej javësh.

TETOVA – “Mendoj Se ishte një ndeshje e ekuilibruar, me raste për shënim nga të dy ekipet. Por them se ne ishim më afër fitores dhe mund ta kishim dyfishuar rezultatin me ato mundësin që na u krijuan. Djemtë e kanë justifikuar çdo moment të ndeshjes dhe sigurisht që jam i kënaqur. Dua t’i përgëzoj së pari, por mendoj se asgjë nuk ka përfunduar. Mendimi im është se më e vështira është tani dhe na duhet të menaxhojmë sa më mirë rezultatin në ndeshjen e kthimit. Do të na kthehet Zejnullai nga dënimi dhe shpresojmë të bëjmë mirë sërish”, ka thënë trajneri i Egnatias për “Panorama Sport”, pas fitores në fushën e Vikingurit.

Nga kjo deklaratë e trajnerit durrsak kuptohet qartë se ai kërkon ta mbajë skuadrën me “këmbë në tokë”, të largojë euforinë. Është edhe ndeshja e kthimit për t’u luajtur, ku rrogozhinasit duhet të manifestojnë të njëjtën dëshirë dhe të njëjtin përqendrim si dje në Islandë. Ndoshta për ndeshjen e javës së ardhshme trajneri Tetova mund të ketë edhe ndonjë përforcim nga merkatoja, përveç Zejnullait që kthehet nga skualifikimi.

ISA HALILI-PANORAMASPORT.AL