Finalja e Conference League që zhvillohet në Tiranë është padyshim një ngjarje historike për futbollin shqiptar.
Prej disa ditësh tashmë në rrugët e kryeqytetit është ndjerë atmosfera festive, të cilën e kanë sjellë tifozët e dy finalistëve, Roma dhe Feyenoord.
Mbrëmjen e sotme në stadium janë personalitete të shumta. Ajo që bie në sy është prezenca e kryeministrit Edi Rama dhe e Presidentit Ilir Meta të cilët janë ulur shumë afër.
E çuditshme për faktin e përplasjeve politike që ata kanë jashtë stadiumit, por mesa duket, futbolli arrin që të zbusë “tensionet” mes tyre.
Siç shihet nga foto e kapur, mes Metës dhe Ramës është ulur Presidenti i UEFA-s, Aleksandër Ceferin.
Në stadium janë të pranishëm dhe Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, ministrja Bora Muzhaqi dhe një sërë figurash të tjera të politikës.