KELMENT BAÇI/ Deputeti i Partisë Socialiste Fatmir Xhafaj ka kërkuar nga zëvendësministrja e Shëndetësisë Eugena Tomini marrjen e masave detyruese për vaksinimin e qytetarëve, pasi sipas tij, shifrat nuk janë të kënaqshme.
Gjatë debatit në Komisionin e Ligjeve, Ku Tomini ishte duke folur për arsyet e marrjes së borxhit pre 60 milionë eurosh për përballimin e pandemisë, Xhafaj kërkoi që edhe deputetët të jepnin kontributin e tyre, sipas nevojës.
Ish-ministri i Drejtësisë e pyeti Tominin se çfarë duhet bërë për të përmbushur një detyrim publik përveçse kujdes ndaj shëndetit personal.
Zv.ministrja Tomini u shpreh se masat shtrënguese vlerësohen nga Komiteti i Ekspertëve në varësi të situatës së shifrave dhe janë ata më pas të cilët marrin vendimet për masat shtrënguese, ashtu sikurse vendosën për vaksinimin e detyruar të administratës publike dhe punonjësve të supermarketeve.
Gjatë diskutimeve, deputetët e opozitës kundërshtuan ratifikimin e marrëveshjes së arritur mes Këshillit të Ministrave dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës për mbështetjen ndaj pandemisë.
Për Enkelejd Alibeajn, me marrjen e një borxhi prej 60 milionë eurosh qeveria po kërkon një tjetër borxh, pasi ajo nuk ka parashikuar asgjë për vaksinat, sepse buxhetin e shtetit dhe borxhet i ka dërguar për PPP-të.
DISKUTIME
Eugena Tomini: Për sa i përket numrit të dozave të aplikuara në Shqipëri kemi mbi 1 milion e 70 mijë individë të vaksinuar me një dozë dhe me të dyja dozat 969 138 mijë persona. Jemi në nivelin e 47.3% mbulesë vaksinale për një doza dhe në nivelin 42.5% për dy doza.
Fatmir Xhafaj: Duke çmuar atë çfarë ka bërë qeveria shqiptare për ta mbështetur gjithë procesin e luftës kundër pandemisë. Duke parë shifrat e vaksinimit, sipas meje, jo fort të kënaqshme qoftë me një apo dy vaksina; çfarë duhet bërë për ta përmirësuar këtë situatë, a ka nevojë për masa shumë më të ashpra se deri tani për t’i detyruar njerëzit të vaksinohen, sepse kjo përveçse është një e mirë individuale, është edhe një detyrim publik. Nga ana tjetër, duke qenë se unë i përkas kësaj qasjeje, shtimit të vaksinimit, çfarë mund të bëjë Kuvendi për ta mbështetur këtë proces për të rritur mbulesën vaksinale?
Eugena Tomini: Është shumë e vërtetë ajo që ju shprehët. Sigurisht që ne kemi pritshmëri më të larta për sa i përket vaksinimit të popullatës, jo vetëm popullatës target aktualisht dhe për ta zgjeruar, përfshirë edhe dozën e tretë. Ne aktualisht kemi një përthithje të mirë të dozës së tretë. Pasi individët që e kanë kaluar 6-mujorin kanë një tendencë për ta bërë dozën e tretë. Komiteti i Ekspertëve parashtroi një shtrëngim të masave për administratën publike dhe punonjësit që janë në komunikim të vijueshëm me popullatën, siç janë punonjësit e supermarketeve dhe hipermarketeve. Është dhënë një periudhë kohore deri në datën 4 janar për paraqitjen e certifikatës së vaksinimit për administratën publike, por edhe për punonjësit e këtyre dy shërbimeve. Duhet të theksohet se edhe vendet europiane në sajë të asaj mbulese vaksinale që janë në saj të “Green Pass”-it dhe masave detyruese. Komiteti i Ekspertëve ka vlerësuar se sistemi shëndetësor nuk ka rënë në asnjë moment në kolaps apo mbingarkesë në situata të caktuara, por sigurisht e mbështesin atë që thatë ju.
Enkelejd Alibeaj: Të jemi të sinqertë dhe vërtetë. Të mos bëjmë fasadë. Ju nuk mund të vini këtu dhe të kërkoni angazhimin e përfaqësuesve të Kuvendit. Se nuk ka mbetur asgjë tjetër veçse të marrim injeksionin dhe të dalim të vaksinojmë ne njerëzit. Kjo tejkalon çfarëdolloj niveli të seriozitetit. Ju pranuat një fakt që është i rëndë për Shqipërinë, përqindjen e vaksinimit. Kosova me një dozë 47%, 9% më shumë se Shqipëria dhe me dy doza 41%. Ne jemi vendi i fundit për vaksinimin. Pse vini ju? Kërkoni 60 milionë euro borxh, qoftë edhe me interes të ulët, po borxh ngelet. Qeveria a ka eksplozuar mundësinë që nga buxheti i sapomiratuar t’i transferonte një pjesë të parave për vaksinimin. Kur vetëm për PPP-të janë 118 milionë, dyfishi i eurove të vendosura për 2022-shin dhe vetëm për inceneratorët shkojnë 18 milionë euro. Para ka, por i keni çuar te PPP-të. Halli i madh i shqiptarëve është të gjejmë vaksina. Pse nuk i merrni nga PPP dhe t’i çoni te halli për të mos marrë borxh.