Qeveria ka vendosur ta shtyje për në shtator paketën e dytë të ndihmës financiare për familjet në nevojë. Ministria e Financave nuk e rishikoi buxhetin, duke i lënë mijëra familje në nëvojë dhe pensionistë pa bonusin prej 3 mijë lekësh gjatë muajve të verës. Fondi Monetar Ndërkombëtar por edhe Banka e Shqipërisë rekomandojnë mbështetjen sa më të shpejtë të shtresave më në nevojë.
“Po rishikojmë buxhetin dhe po analizojmë konsumin, në përfundim të rishikimit do të dal me paketën që do të vijojë për bizneset dhe individët që kanë më shumë nevojë.”- deklaroi ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj në 1 korrik kur përfundoi edhe Paketa e parë e Rezistencës Sociale.
Por edhe pse u bë një muaj nga kjo deklaratë, ministrja Ibrahimaj nuk ka dalë për të prezantuar Paketën e dytë të ndihmës për kategoritë në nevojë, sikurse deklaronte në fillim korriku.
Faktoje mësoi nga burime pranë ministrisë së Financave se tre muajt e verës do të kalojnë pa ndihmë për familjet në nevojë. Të njëjtat burime bëjnë me dije se ndryshimet në buxhet për Paketën Antikrizë 2 do të miratohen në shtator, në nisje të sesionit të ri parlamentar.
Ndërkohë, sipas raportimeve të ministrisë së Financave, të ardhurat në arkën e shtetit për gjashtëmujorin e parë të vitit, u rritën më 19% e thënë ndryshe në buxhetin e shtetit janë 370 milionë euro më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Prej disa muajsh, çmimet e larta po ndikojnë në arkëtimin e më shumë taksave në buxhet, si TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare.
Rritjen e ndjeshme të çmimeve e konfirmon edhe Instituti i Statistikave. Të dhënat e Instat tregojnë se Inflacioni për muajin qershor kulmoi në 7.4% i ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i çmimeve të ushqimeve bazë.
Grafiku i indeksit të çmimeve të konsumit, INSTAT
Në kushtet kur çmimet janë rritur dhe paratë në buxhet nuk mungojnë, natyrshëm lind pyetja ; përse qeveria vendosi të mos japë mbështetje buxhetore për familjet në nevojë?
“E para, qeveria ka filluar të ndjejë frikën e të ardhurave buxhetore që po ulin ritmin e rritjes. Dhe e dyta, energjia ka nevojë për fonde.”- thotë eksperti i ekonomisë Enton Duro duke shtuar se rishikimi i buxhetit duhet të kishte ndodhur në mënyrë që të vijnte ndihma për familjet në nevojë.
“Në këtë periudhë, çmimet e perimeve dhe frutave ulen si rezultat i sezonalitetit dhe ka rritje në terma vjetor. Kjo e zbut pak presionin inflacionist. Megjithatë, si gjithmonë shtresat e varfëra janë të varura totalisht nga sistemi dhe nuk kanë fuqi negociuese, pra ca ti japin “bereqavers”, këtë politikbërësit e dinë shumë mirë dhe optimizojnë politikisht sa herë është e nevojshme!”
Edhe ekspertja e ekonomisë Irena Beqiraj vlerëson se mbështetja duhej vijuar, por shton se qeveria është e detyruar që ta shtyjë për në shtator Paketën e dytë Antikrizë në kushtet e një situate pasigurie që kryefjalë ka energjinë.
“Nëqoftëse nuk kanë të fiksuar çmimin e energjisë elektrike dhe presin që ky çmim të rritet, blerjet do t’i kushtojnë shumë shtrenjtë dhe duhet të kenë para për këtë punë se s’mund të mungojë energjia. Nga ana tjetër, nuk dihet se si do të rriten normat e interesit të borxhit, të cilat nuk janë fikse. Do të duhet të shlyhet borxhi afatshkurtër, të emetojë brenda vendit një borxh afatgjatë, të paguajë interesa më të larta. Po ashtu shpenzimet për ndërtimin, investimet publike që janë parashikuar janë një tjetër element. Shembull, nëse nis punimet Porti i Durrësit do të kërkojë garanci buxhetore.” – argumenton Beqiraj për Faktoje.
Ndërsa Profesor Elvin Meka vlerëson se situata aktuale e ekonomisë dikton nevojën e ndërhyrjes përmes politikës fiskale.
“Ka shumë debate dhe propozime, por ajo që duhet theksuar është se keto lloj paketash jane me natyre të përkoshme, ndërkohë që ndikimi i kësaj rritje të përgjithshme do ketë efekt të përhershëm dhe prek të gjithë ekonominë dhe popullatën pa përjashtim. Në kushte të tila do të isha më shumë për ndërhyrje në politikën fiskale, madje duke bërë rregullime strukturore të saj për sa i përket ushqimeve, ose artikujve të shportës. Megjithatë, deri në një riformulim të mundshëm të politikës fiskale (të cilën e dyshoj pasi qeveria është shprehur kategorike kundër ndryshimit të saj) mund të shqyrtohet një paketë “emergjente” ndihme për shtresat në nevojë.”- thekson Meka për Faktoje.
Me paketën e parë të Rezistencës Sociale qeveria dha një bonus prej 3 mijë lekësh në muaj për pensionistët, familjet me ndihmë ekonomike dhe personat me aftësi ndryshe.
Pika 2 e paketës së parë antikrizë
Agni Korbi është një ish mësues në pension nga Kukësi, qarku me nivelin më të lartë të varfërisë në vend sipas INSTAT. Ai shprehet i zhgënjyer nga ajo që e quan mungesë vëmendjeje ndaj shtresave në nevojë.
Agni Korbi, pensionist
“Si është e mundur? A kaloi kriza dhe u ndalu?? Se për tre muaj i kemi marrë po nëqoftëse ka ndalu kriza le të mos japin, po kriza vazhdon dhe është thelluar. Atëherë njerëzit me të drejtë pyesin, pse i ndaluan? Pak pak po ishte diçka për ne pensionistet. Ta rikthejnë ndihmën që ta përkrahin popullin se ka rënë në gjendje shumë të keqe ekonomike.”- thotë Korbi për Faktoje.
Edhe Unioni i Transportit Publik i ka kërkuar qeverisë ndërhyrje të menjëhershme për të vijuar me paketën antikrizë ose në të kundërt rritjen e biletës së udhëtarëve. Në paketën e parë të Rezistencës Sociale qeveria ndau 500 milionë lekë për kompensimin e rritjes së çmimit të transportit publik.
“Ne nuk mund të presim shtatorin, qeveria duhet të ndërhyjë menjëherë tani pasi me çmimet e larta të karburanteve shërbimi rrezikon mbylljen.”- thotë për Faktoje Rixhin Qosja, kryetar i Shoqatës Kombëtare të Transportit Urban duke shtuar se Shoqata vijon bisedimet intensive me autoritetet për të marrë sa më parë kompensimin.
Një tjetër pikë e paketës së parë ishte dhe mbështetja për fermerët me naftë pa taksa. Për këtë kategori, qeveria u vu në lëvizje duke e rritur masën e financimit për skemën kombëtare në bujqësi me 1.2 mld lekë për vitin 2022 për ti ardhur në ndihmë kërkesës së fermerëve për uljen e kstove të prodhimit.
Vendimi i qeverisë në 29 korrik parashikon mbështetje prej 30 mijë lekësh për çdo hektar të mbjellë me grurë dhe një fond prej 500 milionë lekësh për naftën pa taksa, në mënyrë që të rriten përfituesit.
“ Mbështetja për grurin është një nga kërkesat tona të bëra një vit më parë, por më mirë vonë se kurrë. Kjo masë do të incentivojë fermerët për të mbjellë grurë, duke i ulur kostot e prodhimit. Është një masë shumë e mirë ndërkohë që mbetet për tu parë se kur do të nis aplikimi.” –thotë për Faktoje Eduard Sharka, kryetar i Shoqatës së Fermerëve.
Në vlerësimin e fundit për Shqipërinë edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar këshillonte qeverinë që të mbështesë familjet në nevojë, të cilat prej fillimit të këtij viti po përballen me valën në rritje të çmimeve.
“Ne e shohim me vend zëvendësimin e tij (Bordit të Transparencës) me mbështetje të mirëorientuar për të varfërit dhe shtresat e ekspozuara me qëllim mbrojtjen e tyre nga efektet e rritjes së ҫmimeve.”- shkruhej në njoftimin e FMN-së pas përbylljes së vivitës zyrtare në Shqipëri në maj të këtij viti.
Po ashtu, edhe Banka e Shqipërisë ka bërë thirrje për ndihmë ndaj shtresave në nevojë.
“Fokusi i politikave ekonomike do të duhet të orientohet drejt ruajtjes së stabilitetit të ccmimeve si një parakusht për stabilitetin financiar të vendit për një rritje të qëndrueshme dhe afatgjatë, dhe në ndihmë të shtresave në nevojë.”- tha Guvernatori Gent Sejko një muaj më parë, gjatë raportimit vjetor të Bankës së Shqipërisë në Kuvend./Faktoje.al