Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në një intervistë për Zërin e Amerikës është ndalur tek afera e inceneratorëve, duke theksuar se nëse do të funksiononte drejtësia, atëherë do të ishte zbardhur skema e mashtrimit.
Sipas saj, janë 189 milionë euro evazion fiskal nga kompanitë e inceneratorëve.
Sa i takon protestës së 7 korrikut, Kryemadhi u shpreh se nuk ishte një protestë e opozitës, por një protestë e gjithë shqiptarëve.
Nuk e mendoj që shqiptarët dhe qytetarët e Tiranës atë ditë në 7 korrik ishin për shkak të fytyrave politike. Mendoj që problematikat që shtohen çdo ditë për qytetarët shqiptarë, çmimet e larta që përdoren në mënyrë spekulative. Çmimi i naftës, çmimet e ushqimeve, mungesa e shërbimit shëndetësor, mungesa e shërbimit arsimor, largimi i të rinjve çdo ditë nga Shqipëria.
I ka vendosur në një panik jo vetëm emocional por edhe në një panik ekonomik familjet shqiptare të cilat shikojnë si të vetmen zgjidhje o largimin nga Shqipëria ose qëndresën përballë asaj çfarë ndodh. Dhe ajo që mendoj është që protesta nuk ishte thjesht e Partisë Demokratike dhe thjesht me militantët dhe flamurët e partive politike. Unë e kam thënë dhe vazhdoj ta them që goditja që opozita e kaluar i bëri, protestës qytetare duke shitur kauzat është shumë e vështirë për ta rikthyer dhe ajo ishte një dritë shpresë për opozitarizmin jo për t’u bazuar tek figurat e opozitës por për t’u bazuar tek kauzat që japin zgjidhje. Mendoj që sot shqiptarët nuk kanë më nevojë për ta identifikuar qëndresën e tyre me fytyrën e Monikës.
Por sot shqiptarët shikojnë çdo ditë sesi iu merren nga xhepat e tyre 80 mijë euro në ditë me inceneratorin e Tiranës për të cilën është një nga çështjet më të ndjeshme me atë çfarë ka ndodhur dhe atë çfarë ndodh që ka shkuar dhe ka cënuar jo vetëm integritetin juridik dhe tregtar të Shqipërisë por ka cënuar mbi të gjitha integritetin e të dhënave personale dhe përdorimin e të dhënave të të gjithë njerëzve.
Nëse protestat do të jenë qytetare dhe qëndrestare. Do t’ju kujtoja të gjithëve protestat e studentëve në 2018 të cilat ushtruan një presion të madh psikologjik tek Rama, që kishte të bëntë më rritjen e një takse për universitetin dhe ndryshoi 99.9% të qeverisë. Në fakt, ne kemi votuar një reformë në drejtësi me 140 vota në 2016, ku ajo çfarë vazhdoj dhe e ngre zërin më shumë se kushdo tjetër nëse do të funksiononte kjo reform në drejtësi, ne sot do të kishim para drejtësisë zbardhjen e të gjithë skemës së inceneratorëve e cila është e faktuar me dokumenta. Mund të them evazionin fiskal të cilin unë e denoncova para disa ditësh mund të them që është në vlerën 189 milionë dollarë”, tha Kryemadhi.