Ernest Muçi dhe Armando Broja janë ndër talentët më të mirë që ka prodhuar ndonjëherë futbolli shqiptar. Dy sulmuesit e Kombëtares pritet të udhëheqin sulmin kuqezi në dekadën e ardhshme. Ish-sulmuesi i Tiranës po shkëlqen me Legian në Poloni me të cilët ka shënuar 21 gola e 10 asiste. Broja në krahun tjetër po riaftësohet pas një dëmtimi të rëndë, por shkëndijat i ndez edhe me vetëm 5 minuta lojë.
Potencial i jashtëzakonshëm nga të dy talentët, një potencial që klubet europiane kërkojnë ta kenë në favorin e tyre. Muçi pritet të bëjë hapin e madh në një nga Top 5 kampionatet europiane, ndërsa Broja është në dyshim mes konkurrencës te Chelsea apo protagonizmin absolut në një klub tjetër.
Nga situata e të dy kuqezinjve kërkon të përfitojë Fulham. Klubi i Premier League dëshiron të përforcojë repartin ofensiv pas largimit të serbit Mitrovic dhe në krye të listës kanë Armando Brojën dhe Ernest Muçin.
Për të parin përflitet për një çmim rreth 30 milionë euro, ndërsa për fantazistin Legia ka vendosur çmimin 20 milionë euro për të nisur negociatat. Mbetet të shihet si do të jetë e ardhmja e dy yjeve të Shqipërisë të cilët janë sensacion i nxehtë në merkato.