Nga: Enio Jaço, Kreu i Dhomës Amerikane të Tregëtisë
Burimet alternative të financimit mbeten faktor kyç për vendet në zhvillim. Ballkani Perëndimor përfshirë Shqipërinë nuk ka qënë i ekspozuar ndaj modeleve alternative që mund të transformojnë bizneset dhe ekonominë. Një prej tyre është Tregu i Kapitalit Privat si burim financimi konkurrues që fuqizon sipërmarrjet e vogla dhe të mesme – kontribueset më të mëdha të ekonomisë.
Po të shtosh edhe sfidat që po sjell për ekonomitë dhe bizneset konflikti Ukrainë-Rusi, një zhvillim i shpejtë i tregut të kapitaleve do të ndryshonte trajektoren e përfitimit të më shumë fondeve investuese që do të thotë më shumë zhvillim për sipërmarrjet, më shumë vende pune dhe rritje të ardhurash në ekonomi.
Tregu i Kapitaleve u jep mundësi bizneseve investitore që të bëhen aksionerë të kompanive të ndryshme dhe duke investuar paratë e tyre ata përfitojnë norma më të larta fitimi. Kjo krijon mundësi që bizneset të mos shohin vetëm bankat si burim financues apo kreditimi sepse përfitojnë likujditet përmes tregut të kapitaleve duke lehtësuar buxhetet e tyre nga interesat e larta të kredive apo kolateralet e kërkuara.
Por ndërsa në Shqipëri modeli i tregut të kapitaleve mbetet i pazhvilluar, në tregun global aktiviteti i investimeve me kapital privat ka arritur 1.3 trilion dollarë dhe vlera totale e blerjeve të kapitaleve private u dyfishua nga 2020 në 2021 me një rritje 96%.
Disa përpjekje janë bërë në ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e këtij tregu. Dhoma Amerikane në bashkëpunim me Bankën Botërore ka inicuar disa trajnime me bizneset anëtare për të njohur më shumë rreth mundësive të reja. Maqedonia e Veriut ka krijuar nje nga praktikat më të mira me rezultate impresive.
Ngritja e një mekanizmi konkret mbështetës për tregut e kapitaleve private do krijonte një frymëmarrje të re për bizneset dhe ekonominë. AmCham është e gatshme të ndihmojë qeverinë me këshilla mbi strukturimin e mundësive dhe politikave incentivuese.