Eni Vasili rikthehet në “News24” me “Open”. Në prime time, nga e hëna në të enjte


Gazetarja dhe drejtuesja e emisionit “Open”, Eni Vasili, ka firmosur një kontratë disavjeçare me Presidentin e “Fokus Media Group”, Irfan Hysenbelliu.

“Open” do të nisë së shpejti transmetimin në ekranin e “News 24”. Burime mediatike thanë se Hysenbelliu dhe Vasili kanë rënë dakord që programi i drejtuar nga gazetarja do të jetë në transmetim katër herë në javë në “News 24”, në prime time, nga e hëna në të enjte. Së shpejti do të merren vesh edhe detaje të tjera nga ky bashkëpunim, ndërsa me kuriozitet pritet premiera e “Open” në ekranin e “News 24.”

Me këtë marrëveshje, Eni Vasili rikthehet në shtëpinë mediatike të saj, ku për pesë vite drejtoi programin “Studio e Hapur”, edhe ky një program, ku temat e aktualitetit, nga politika, ekonomia dhe deri te kultura vinin për shikuesit katër herë në javë. Debati, analizat, intervistat, reportazhet, investigimet ishin përmbajtja e “Studio e Hapur”, e Eni Vasilit prej 2013 në 2018 në “News 24”. Prandaj, kjo lëvizje e saj mund të quhet rikthimi në shtëpi i Eni Vasilit.

Ndërkohë “Open”, si një vazhdim i projektit “Studio e Hapur”, është një emision i përnatshëm i aktualitetit në Shqipëri, i cili nisi rrugëtimin në shtator të vitit 2018 në “Top Channel”.

“Open” kreu një rrugëtim katërvjeçar të mbushur me sfida, të cilat e bënë atë forumin e vërtetë të debatit shqiptar. I paanshëm dhe i besueshëm për shqiptarët në mbarë botën, “Open” ka pasur një udhëtim jo të lehtë, sepse e tillë është koha që jetojmë. Për katër vite, nga tërmeti dhe pasojat e dhimbshme të tij në 2019, te pandemia, e deri te ngjarjet e aktualitetit, janë përcjellë përnatë në OPEN, nga e hëna në të enjte, në maratona televizive.

Moderatorja Eni Vasili dhe presidenti i “Fokus Media Group”, Irfan Hysenbelliu

Moderatorja Eni Vasili dhe presidenti i “Fokus Media Group”, Irfan Hysenbelliu

Kanë qenë përvoja të paharrueshme për nga emocionet, por edhe eksperimente televizive për nga vështirësitë dhe rreziqet që të gjithë kaluam në këto kohë. E paharrueshme ka qenë edhe përgjigjja e audiencës, e cila përherë e më e madhe, përherë e më e lartë e ka ndjekur “Open”, çdo natë këto vite.

Por, siç mësohet nga burime mediatike pas nënshkrimit të Presidentit të “Media Focus Group”, Irfan Hysenbelliu, me gazetaren Eni Vasili, tanimë, shumë shpejt, “Open” do të transmetohet në “News 24” me surpriza të tjera, si nga ana infrastrukturore, ashtu edhe për nga përmbajtja e programit të njohur.

CURRICULUM VITAE

ENI VASILI

2018-2022 

Autore dhe producente ekzekutive e programit “Open” në “Top Channel”.

Nëntor 2013- korrik 2018 

Autore dhe producente ekzekutive e programit “Studio e Hapur” ne “NEWS24”.

Mars 2010-korrik 2011 

Drejtore e përgjithshme e TV AS, “Albanian Screen” tv, (ex “Alsat” tv, “Radio Televizioni Alsat”).

2005-korrik 2011

Autore dhe producente ekzekutive e programit “Studio e Hapur” Kryeredaktore e Departamentit të Informacionit në RTV “Alsat”. Moderatore e edicionit qendror të lajmeve dhe intervistës politike të mbrëmjes, çdo ditë (nga e hëna në të premten) në orën 20:00.

2005-2009

Kryeredaktore e Departamentit të Informacionit në “RTV Alsat”. Moderatore e edicionit qendror të lajmeve dhe intervistës politike të mbrëmjes, çdo ditë (nga e hëna në të premten) në orën 20:00.

2000-2005

Kryeredaktore e Departamentit të Informacionit në televizionin publik shqiptar, RTVSH. Moderatore e edicionit qendror të lajmeve çdo ditë (nga e hëna në të premte) në orën 20:00 në TVSH. Moderatore dhe autore e emisionit politik “Pse” në TVSH, në prime time ora 21:00.

1999-2000

Gazetare, reportere politike në RTV “Klan”. Moderatore e edicioneve të lajmeve të orës 16:00 e 19:30. Moderatore dhe autore e emisionit “Kosova”, dedikuar luftës se Kosovës.

1997-1999

Gazetare pranë Departamentit të Informacionit në RTVSH.

1993-1996

Bashkëpunëtore e jashtme pranë Departamentit të Informacionit në “RTVSH”