Një shqiptar ka humbur jetën në një kantinë vere në Itali. Tragjedia ndodhi të mërkurën 14 dhjetor, pak pas orës 11:30, në Cessalto brenda kantinës Corvezzo.
Sipas një rikonstruksioni fillestar, një punëtor shqiptar 43-vjeçar, banues në zonë, Dritan Mecaj, është mbytur teksa punonte brenda një rezervuari çeliku, në një autoklave, që zakonisht përdoret për të ruajtur verën.
Dioksidi i karbonit do të ishte fatal për 43-vjeçarin. Mjekët dhe infermierët e 118 ndërhynë në vend dhe u përpoqën më kot për ta mbajtur në jetë punëtorin, i cili ndërroi jetë menjëherë.
Për hetimet e rastit kanë ndërhyrë karabinierët e stacionit Cessalto dhe teknikët e Spisal të Ulss 2. Ndërhynë edhe zjarrfikësit e repartit Motta di Livenza. Dritan Mecaj jetonte prej shumë vitesh në Itali dhe punonte në Vreshtat e Corvezzo që nga viti 1992 (pronari Renzo ishte president i futbollit Treviso), ishte i martuar me një shqiptare dhe ishte baba i një djali 11-vjeçar.
“Jemi të tronditur, ngushëllime të mëdha për familjen e tij: ai ishte i punësuar prej vitesh, një punëtor i madh”, tha kryebashkiaku i Cessalto, Emanuele Crosato.