EMRI/ Shkarkohet gjyqtarja e “21 janarit”, nuk justifikonte pasurinë për ndërtimin e shtesave në banesa


Vettingu ka shkarkuar nga detyra gjyqtaren Ariana Gumbardhi Caco, e cila ishte një nga 3 anëtarët e trupës së procesit për “21 Janarin”.

Vendimi i shkarkimit nga KPK erdhi pas konkluzioneve se gjyqtarja nuk justifikonte me pasurinë. KPK konstatoi pamundësi financiare për ndërtimin e shtesave në secilën prej banesave, ajo bashkëngjitur apartamentit në Tiranë me sipërfaqe 68 m2 dhe 70 m2 në Vlorë.

Nisur nga mungesa e dokumentacionit për këto dy investime, Komisioni i ka përllogaritur shpenzimet sipas referencave të Entit Kombëtar të Banesave, EKB, nga kanë rezultuar vlera që nuk janë mbuluar nga të ardhurat e subjektit dhe të personave të lidhur.

Në seancën e kaluar dëgjimore në funksion të vetingut për gjyqtaren, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi ta shtyjë për t’i dhënë kohë shqyrtimit të tre kërkesave të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit nëpërmjet përfaqësuesit të saj ligjor, njëkohësisht bashkëshortit Artur Gunbardhi.

Pasi kryesuesja e trupës së KPK, Pamela Qirko deklaroi fillimin e seancës, pyeti gjyqtaren Caco nëse kishte për të paraqitur ndonjë kërkesë paraprake. Avokati Gunbardhi deklaroi se kishin tre kërkesa paraprake dhe paraqiti argumentet se përse i ngrinin pretendimet e tyre, duke shpjeguar se kishin të bënin edhe me procesin e rregullt ligjor.

Ata kërkuan që t’iu komunikohen prej Komisionit emrat e këshilltarëve ligjorë dhe atyre financiarë që kanë përpiluar raportet në kuadër të rivlerësimit të Cacos. Sipas Gunbardhit, dy prej këshilltarëve të KPK-së gjenden në kushtet e konfliktit të interesit, pasi njëra është mikeshë e subjektit të rivlerësimit, ndërsa tjetri është djali i ish-ministrit të Drejtësisë në vitin 1996, me të cilin kishte pasur konflikt.

Sipas tij, këshilltarët janë në cilësinë e ekspertit dhe konstatimet e tyre ndikojnë në vendimarrjen e Komisionit. “Këshilltari përcakton provën determinante për pasurinë, megjithëse nuk merr vendim. Dyshimi im për njëanshmëri të këshilltarëve është objektivisht i justifikueshëm”, pohoi Gunbardhi dhe vërejti se në raste të konfliktit të interesit, ata duhet të dorëhiqen ashtu si edhe anëtarët e Komisionit.