Policia e Durrësit ka finalizuar operacioni policor i koduar “Muzeu” duke arrestuar tre persona që po tentonin të shisnin mina me telekomandë. Gjatë operacionit u kapën në flagrancë shtetasit Ilir Alliu, i cili drejtonte mjetin, Edmond Bardhi dhe Bledar Çakalli, të cilët ishin pasagjerë.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës, në bashkëpunim me Sektorin e Trafiqeve të Paligjshme dhe te Krimeve Kundër Personit në DVP Durrës në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se disa persona me tendencë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së minave me telekomande po tentonin të shisnin disa mina me telekomandë, kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me patrullat e përgjithshme kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Muzeu”.
Në kuadër të këtij operacioni, në vendin e quajtur “Muzeu”, në lagjen nr. 9 në Durrës, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetaseve:
– Ilir Alliu, 47 vjeç, Bledar Çakalli, 31 vjeç dhe Edmond Bardhi, 37 vjeç, të tre lindur në Dibër dhe banues në Sukth, Durrës.
Këta shtetas u kapën duke udhëtuar me një automjet tip “Volvo” me drejtues shtetasin I. A. dhe pasagjerë shtetasit B. Ç. dhe E. B. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet nga shërbimet e Policisë u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale tri mina të montuara dhe të lidhura me telefon.
Nga hetimet paraprake rezultoi se këta shtetas do të shisnin disa mina me telekomandë në qytetin e Durrësit, kundrejt shumës 2500-3000 euro copa.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.