Partia Socialiste ka caktuar dje edhe kryetarët dhe nënkryetarët e komisioneve parlamentare. Ermonela Felaj u zgjodh nënkryetare e Kuvendit, e cila gjatë legjislaturës së kaluar ka drejtuar Komisionin Parlamentar të Sigurisë.
PD-ja kishte emëruar si nënkryetar të Kuvendit, deputetin Enkelejd Alibeaj.
Kryetar i Komisionit të Sigurisë u zgjodh Nasip Naço, i cili më parë ka qenë anëtar i Komisionit të Ligjeve. Kryetare e Komisionit të Ligjeve u zgjodh Klotilda Ferhati, ish-anëtare e këtij Komisioni, që drejtohej nga Ulsi Manja, i propozuar sot nga Kryeministri për ministër Drejtësie.
Nënkryetare e Komisionit të Integrimit u zgjodh Etilda Gjonaj, ndërsa kryetare e Komisionit të Jashtëm u zgjodh Mimi Kodheli. Ajo u rikonfirmua në krye të Komisionit, të cilin e drejtoi edhe katërvjeçarin e kaluar.
Kryetare e Komisionit te Veprimtaria Prodhuese u zgjodh Arben Pëllumbi, i cili drejtohej legjislaturën e kaluar nga Eduard Shalsi. Ndërsa nënkryetar i Komisionit të Medias u zgjodh Petro Koçi.
Nënkryetare e Komisionit të Shëndetësisë u zgjodh Klotilda Spahiu. Nga opozita, Jorida Tabaku është zgjedhur tek Integrimi,Albana Vokshi te Shëndetësia, Agron Gjekmarkaj te Media dhe Enkelejd Alibeaj nënkryetar Parlamenti.
Partia Demokratike u rikthye në Kuvend pas dy vitesh mungesë, kur mori vendimin të djegë mandatet e deputetëve si një shenjë presioni ndaj qeverisë, mandate që u zëvendësuan nga një pjesë e deputetëve të fundlistës së kandidatëve të saj të zgjedhjeve të vitit 2017.
BRAÇE, JASHTË DREJTIMIT TË KOMISIONEVE
Ish-zëvendëskryeministri Erion Braçe është lënë jashtë drejtimit të komisioneve parlamentare.
Braçe nuk e fshehu pakënaqësinë e tij dje pasdite pas votimit të Lindita Nikollit në krye të Kuvendit.
Gjatë mandatit të kaluar, për dy vite ai drejtoi Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, më pas mori postin e zëvendëskryeministrit, ndërsa u zëvendësua në krye të këtij Komisioni nga deputeti Anastas Angjeli.
Braçe është lënë edhe jashtë kabinetit të ri qeverisës, ndërsa nuk ka pushuar se postuari në rrjete sociale mesazhe të nënkuptuara që lidhen me karrigen e pushtetit, apo mbajtjen e përgjegjësive në kurriz të të tjerëve.