EMRAT/ Ekzekutimi i 32-vjeçarit në Gjocaj të Peqinit, arrestohen dy persona

Dy ditë pas ekzekutimit të Albi Bashaliut në fshatin Gjoçaj të Peqinit, policia ka arrestuar dy persona, të cilët dyshohet se janë të përfshirë në ngjarje.

Në pranga kanë rënë shtetasit Veiz Bashaliu 41 vjeç dhe Mikel Xhaja 30 vjeç, të dy bashkëfshatarë me viktimën.

Sipas uniformave blu, këta persona dyshohet se janë bashkëpunëtorë të ekzekutorëve dhe se kanë ndihmuar autorët, duke penguar kështu edhe hetimet e policisë.

Gjithashtu, policia njofton zyrtarisht se gjeti makinën e viktimës në afërsi të Rrogozhinës. Automjeti u mor nga autorët për t’u larguar nga vendngjarja.

Njoftimi i policisë:

Vijojnë veprimet e thelluara hetimore, për zbardhjen e vrasjes së 32-vjeçarit, mëngjesin e datës 27 dhjetor 2021. Vihen në pranga 2 shtetas, të dyshuar si përkrahës të autorëve të krimit.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Peqin, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, kanë vijuar intensivisht punën hetimore, me qëllim zbardhjen e vrasjes së 32-vjeçarit A. B.

Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore, u bë i mundur arrestimi i shtetasve: V. B., 41 vjeç dhe M. Xh., 30 vjeç, të dy banues në fshatin Gjoçaj, Peqin. Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera është dokumentuar se këta shtetas kanë kryer veprime aktive për të fshehur rrethanat e ngjarjes dhe kanë penguar aktivisht organet e Policisë, për t’u informuar për ngjarjen, rrethanat si ka ndodhur dhe motivin.

Gjithashtu, në kuadër të kryerjes së veprimeve procedurale dhe thellimit të hetimeve për këtë ngjarje të rëndë kriminale, në ndjekje e sipër të autorëve të dyshuar të veprës penale, më datë 28.12.2021, rreth orës 01:00, në aksin rrugor Gosë-Vibashtovë, Rrogozhinë, është gjetur automjeti tip “Volkswagen Caddy”, që ka qenë në përdorim nga viktima, shtetasi A. B. 

Nga rrethanat e hetimit dyshohet se autorët kanë marrë mjetin e viktimës për t’u larguar, ndërsa mjetin me të cilin ata udhëtonin e kanë djegur në vendngjarje. Në vendngjarje janë gjetur sende të ndryshme, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provave materiale dhe që u dërguan për ekzaminime të mëtejshme në Institutin e Policisë Shkencore. 

Nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Materialet u referuan në Prokurori, për veprime të mëtejshme.

NGJARJA

Bashaliu kishte shkuar në lokalin e fshatit paraditen e së hënës (27 dhjetor), duke konsumuar kafen e mëngjesit. Sapo ka dalë nga lokali rreth orës 08:39 minuta, është qëlluar me armë zjarri. Viktima ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes si pasojë e plagëve të marra.

Krimi i rëndë, sipas burimeve, dyshohet të jetë kryer me një armë me silenciator, pasi banorët e lagjes nuk kanë dëgjuar asnjë krismë. Kjo ka bërë që forcat e rendit të shkonin me vonesë në vendin e krimit, çka u ka dhënë kohë të mjaftueshme autorëve të largohen pa gjurmë.