Laçi është tronditur sot nga një krim i rëndë, ku një person është vrarë me armë zjarri. Ngjarja ndodhi rreth orës 07:23, në afërsi të një banke.
Policia bëri me dije se në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi Xhelal Reçi, rreth 60 vjeç. Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën, si dhe janë ngritur pika kontrolli, me qëllim kapjen e autorit.
Në ndihmë të Policisë lokale janë nisur grupe të FNSH-së dhe një grup i posaçëm hetimor për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Deri më tani nuk dihen rrethanat e ngjarjes në fjalë, ndërsa policia po heton për zbardhjen e plotë të krimit.
Viktima 60-vjeç, ishte një ish-polic qarkullimi, ndërsa tani merrej me tregti.
Mësohet se ai kishte një dyqan në Laç, ku shiste veshmbathje. Ai u vra nga person ende i paidentifikuar me armë zjarri, ndërkohë që policia ka ngritur posblloqe për të bërë të mundur arrestimin e autorit/ve.
Por ky nuk është atentati i parë që bëhet ndaj familjes Reçi. Në shtator të 2020, djali i Xhelalit, Besniku, i shpëtoi një atentati të mirëorganizuar.
Ai ishte duke udhëtuar në rrugën Lezhë-Shëngjin bashkë me dy fëmijët e mitur dhe bashkëshorten, kur dy persona të armatosur me motor, e ndoqën dhe tentuan ta qëllonin me plumba. Në fakt, tre plumba qëlluan mbi makinën që udhëtonte Besnik Reçi, por për fat të mirë, nuk mbeti i lënduar askush. Kjo edhe falë lëvizjeve të shpejta dhe instiktive të Reçit, i cili pasi pikas atentatorët, devijon me makinë në trotuar dhe i shpëton atyre.