KELMENT BAÇI/ Eksperti i Ekonomisë, Selami Xhepa, shprehet se vendosmëria e qeverisë dhe e Kryeministrit Edi Rama për të zbatuar deri në fund amnistinë fiskale të shumëkritikuar nga faktori ndërkombëtar vjen si pasojë e presionit të grupeve të interesit.
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, eksperti i Ekonomisë sqaron se ajo dëshmon edhe arrogancën e qeverisë ndaj shqetësimeve të shoqërisë pasi ka mangësi dhe nuk garanton instrumente filtruese dhe parandaluese për paratë “e pista” që mund të futen në ekonominë vendase. Xhepa i cilëson të drejta edhe shqetësimet e opozitës së skema e amnistisë dhe paratë e përfituara prej saj mund të përdoren në zgjedhjet e ardhshme vendore.
I pyetur në lidhje me aksionin e qeverisë për konfiskimin e hapësirave pa leje të ndërtuara në kullat në kryeqytetin shqiptar, eksperti u shpreh se kontrolli mbi territorin rezultoi një fiasko e kësaj qeverie. Sela Xhepa theksoi se kur shteti merr në pronësi sipërfaqet e ndërtuara pa leje, është pjesëmarrje në bashkëfajësi, ndërsa kërkoi që ligji të ndëshkojë investitorët e ndërtimeve pa leje kudo qofshin.
Z.Selami Xhepa, Kryeministri Rama deklaroi se qeveria nuk do tërhiqet nga amnistia fiskale. Si e shihni ju këtë qëndrim edhe pas kundërshtive të shprehura qartë nga opozita, BE dhe faktori ndërkombëtar? Çfarë fshihet pas kësaj nisme?! A po synon qeveria ta përdorë si “kartë” në zgjedhjet e ardhshme për të fituar mbështetjen e personave që përfitojnë nga miratimi i Paketës së Amnistisë Fiskale?!
Mendoj se këmbëngulja e Kryeministrit për të vazhduar me realizimin e amnistisë edhe pas qëndrimeve të kritike dhe paralajmërimeve të forta nga ana e Bashkimit Evropian, mund të jetë dëshmi ose e presioneve të forta nga grupet përfituese, ose shprehje e arrogancës, me të cilën qeveria i trajton shqetësimet e shoqërisë. Lidhur me projektin e amnistisë, të cilën qeveria e ka servirur dhe pak kohë më përpara, vendet e BE-së dhe partnerët ndërkombëtar u shprehën qartë se projektligji shqiptar nuk plotëson standardet evropiane në lidhje me parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Edhe në versionin aktual, ligji ka të njëjtat mangësi pasi nuk garanton instrumente filtruese dhe parandaluese për paratë “e pista”. Nga kjo pikëpamje, reagimi normal i qeverisë duhet të ishte që të plotësonte ligjin me këto mekanizma kontrolli dhe të vijonte pastaj me miratimin dhe zbatimin e saj.
Një grup tjetër interesi, ku përfshihen organizata të rëndësishme biznesi dhe eksponentë të shoqërisë civile janë shprehur kundër kësaj ideje jo vetëm thjesht për arsyet e mësipërme, por dhe për motive të tjera që lidhen në thelb me shtrembërimin e konkurrencës në treg. Edhe ky është një shqetësim legjitim që ka nevojë gjithashtu për një reagim të matur nga qeveria. Një tjetër problem edhe më madhor mendoj se është ai i dëmtimit moral që i bëhet kulturës së moszbatimit të ligjit. Përgjatë viteve, ne kemi kryer një sërë faljesh tatimore dhe detyrimesh të tjera të qytetarëve dhe bizneseve. Duket sikur amnistia është shndërruar në një lojë “perpetum”, që qeveritë e nxjerrin si asin nën mëngë, me të cilin të mbushim buxhetin e shtetit.
Fatkeqësisht, në të gjithë rastet ne nuk kemi zbatuar asnjë nga kriteret që rekomandohen për të kryer një amnisti me efekte pozitive për ekonominë dhe shoqërinë. Dikur, Partia Socialiste në opozitë ka përdorur të njëjtën retorikë kundërshtuese që sot po shprehin si opozita, edhe grupet e tjera të interesit që citova më lart. Opozita ka shqetësime legjitime se përdorimi i kësaj “reforme”, pikërisht përpara zgjedhjeve lokale, mund të përdoret për të fituar epërsi politike, njësoj siç përdoren zakonisht premtimet për legalizimet e pronave në fushatat elektorale. Nëse vërtet duam të realizojmë një amnisti të plotë, të bëjmë rregullimet ligjore të duhura, të kërkojmë konsensus të gjerë politik, duke bërë të mundur që ajo të jetë e dobishme për shoqërinë.
Një nismë e shumëkritikuar kundër qeverisë është edhe ajo për konfiskimin e ndërtimeve pa leje dhe kateve pa leje në kullat në qendër të kryeqytetit. Kryeministri Rama njoftoi aktin e parë të dorëzimit të 4646 metra pa leje në mes të Tiranës, i kalojnë shtetit me kontratë noteriale. Mendoni se do funksionojë?!
Është një dështim i pashembullt dhe madje një episod qesharak se si ekzaktësisht përballë zyrës së kryetarit të bashkisë së kryeqytetit, një qiellgërvishtësi i shtohen disa kate pa leje. E dhimbshme kur shikon se si një mori institucionesh publike, që janë të gatshëm të turren si skifter ndaj ndonjë fukarai që meremeton çatinë apo avllinë e shtëpisë, kthejnë kokën mënjanë sa herë kalojnë përpara qiellgërvishtësve që ndërtohen nga disa kompani “të fortësh”.
Nuk e kuptoj se si dronët “bajraktar” do zgjidhin problemin sepse do të numërojnë katet pa leje, kur këtë nuk e bënë ushtria e nëpunësve që paguajmë dhe që qarkullojnë me makina gjatë gjithë ditës nëpër çdo cep të qyteteve. [Është më lehtë që katet të numërohen nga poshtë-lart se nga lart-poshtë!]. Tetë vite më parë, qeveria e sotme i paraqiti publikut një program shumë ambicioz për kontrollin e territorit dhe dhënien fund të ndërtimeve pa leje. Sinqerisht e kam përgëzuar dhe i kam vlerësuar qëndrime të tilla, që synojnë të vendosin disiplinën e ligjit në një vend ku kultura e moszbatimit të ligjit dhe mosndëshkimit kishte hedhur rrënjë në këto vite tranzicioni.
Por, me sa duket një forcë politike që qëndron gjatë në pushtet e ka të pamundur të vazhdojë të jetë konsekuente në qëndrimet e saj. Disiplina në kontrollin e territorit rezultojë një fisako, njësoj si dhe disiplina në sektorin e energjisë elektrike, ku humbjet, shpërdorimet dhe keqmenaxhimi po bëhen shqetësimi kryesor i ekonomisë dhe shoqërisë në ditët e sotme. Kur shteti merr në pronësi sipërfaqet e ndërtuara pa leje, mendoj se edhe pse mund të shihet si ndëshkim nga biznesit dhe një mënyrë për të zgjeruar pronën publike, sërish në gjykimin tim kjo më ngjan si pjesëmarrje në bashkëfajësi. Nëse për çdo shkelje të ligjit, ne gjejmë zgjidhje provizore përmes një VKM-je, kështu ne humbasim elementët thelbësorë të një shteti ligjor në kuptimin e hierarkisë ligjore dhe shthurjes së ligjit në vazhdimësi. Ligji duhet të prevalojë duke shtetëzuar sipërfaqet pa leje dhe duke ndëshkuar individualisht investitorin, me të njëjtin standard siç ndëshkohet ndërtuesja e kotecit të pulave apo dhunuesi Lako me hapjen e paligjshme të dritares për ambientin e punës.
Nga 1 tetori hyn në fuqi vendosja e fashës për rritjen e çmimit të energjisë për mbi 800 kwh, si mënyrë për të kursyer energji. Kush do të preket dhe sa do ndikojë në ekonominë familjare?!
Tarifat e reja të energjisë elektrike sigurisht që kanë një efekt shumë të rëndë financiar mbi një numër që është dukshëm më i lartë nga sa deklaroi qeveria. Vlerësimet e ekspertëve të fushës flasin për një fashë që shkon midis 70 dhe 80 mijë familjeve, të cilat nuk janë të gjitha familje me pishina floriri, por shumë prej tyre janë nga klasat e mesme që kanë ndërtuar një standard jetese, që është e denjë për shekullin ku jetojmë. Jam dakord që duhet dekurajuar konsumi pa kritere i energjisë dhe mendoj se mekanizmi që paraqiti Kosova është shumë më interesant, duke dhënë një bonus për konsumin e reduktuar.
Sidoqoftë, shqetësimi edhe më serioz shkon për operimin e ekonomisë në tërësi pasi me nivelet e kostove të energjisë dhe karburantit, rrezikohet një falimentim në shkallë të gjerë e operatorëve ekonomikë, gjë që do të kishte pasoja shumë të rënda për ekonominë në tërësi. Kjo situatë ka nevojë për një analizë të përgjegjshme të arsyeve se përse operatori i shpërndarjes së energjisë nuk ka arritur të realizojë treguesit e efektivitetit të investimeve miliarda euroshe të raportuara. Si është e mundur që asnjë projekt i ri energjetik nuk i është shtuar vendit në këto kohë, kur kemi një TEC që po amortizohet me shpejtësi teksa rri i fjetur përballë dy supergjeneratorëve ndotës që ngjajnë më shumë si simbole të botës së tretë… Jemi një vend që prodhojmë shumë paradokse dhe justifikojmë të keqen me emergjencat që na krijohen nga rrethanat e papërshtatshme.
Ndonëse qeveria bën thirrje për përballim të krizës, vetë ajo nuk i ka ndalur shpenzimet e luksit, si PSH instalacioni ne kryeministri, pista e garave në Elbasan etj. A mendoni se kriza do ta bëjë të reflektojë dhe ndalë shpenzime të tilla?!
Pas kritikave edhe nga FMN?! Krizat citohen si mjet justifikues vetëm kur i bëhet thirrje popullit për sakrifica; kur është fjala për përdorimin e parave të taksave tona, qeveria jo vetëm që nuk reflekton duke rialokuar buxhetin sipas logjikës së prioriteteve të reja, por shton si prioritete projekte që edhe vendet e zhvilluara do i kishin zili. Ndërtimi pistës së makinave të garës, kopshti ekologjik në mjediset e Kryeministrisë, projekte anonime të Fondit Shqiptar të Zhvillimit që zbulohen nga media investigative, janë pikërisht paradokse, për të cilat fola më lart.
Ndërkohë që institucionet publike i kanë detyrime të pashlyera OSSHE disa dhjetëra milionë euro, në vend që shlyhen këto detyrime dhe të shëndoshet gjendja financiare e kompanisë, bëjmë pista makinash. Kur fermerët dalin nëpër protesta se prodhimet e tyre nuk gjejnë tregjeve dhe po derdhen rrugëve, kur gruri që është grumbulluar mbetet nëpër skuta magazinash mbetet pa u shitur ndërkohë që kemi krizë ushqimore, janë disa shembuj tronditës se si ato 10 apo 20 milionë euro që po përdoren për projekte të tilla kozmetike, mund të përdoreshin për të ndihmuar bujqësinë të kapërcente këto kohë të vështira, ose ti jepeshin ndihmë studentëve apo familjeve në nevojë të përmirësonin konsumin pasi kjo indirekt do të ishte një ndihmë edhe biznesin dhe ekonominë në tërësi. @Panorama