Ekskluzive/ Rama bën për 1 lekë këshilltarët e PS: Ne nuk mund të bllokojmë buxhetin e Bashkisë, nuk funksionon!

Në takimin e djeshëm me strukturat e Partisë Socialiste në Kavajë, kryeministri Edi Rama ka kritikuar sjelljen e anëtarëve socialistë në Këshillin Bashkiak.

Rama u tha atyre se nuk duhet të bllokojnë buxhetin e Bashkisë dhe asnjë vendim i tillë nuk duhet të merret në të ardhmen pasi nuk funksionon politika me bllokime.

“Kavaja është një shembull shumë kuptimplotë për faktin që Partia Socialiste i ka vetë në dorë edhe rezultatin pozitiv, edhe rezultatin negativ, edhe fitoren edhe humbjen.

Duhet të jemi shumë të vëmendshëm edhe në raport me detyrimet që kemi këtu përsa i përket këshillit bashkiak.

Më thanë që ishte bllokuar buxheti i Bashkisë. Ne mund të kemi numrat për të bllokuar buxhetin e bashkisë, por ne nuk mund të jemi bllokuesit e buxhetit të bashkisë.

Këshilltarët e bashkisë janë aty për t’i shërbyer komunitetit, nuk janë aty për t’i bërë karshillëk ultrasëve të anës tjetër. Kemi bërë edhe ne shumë gjëra që po të ktheheshim mbrapa, jam i bindur që nuk do t’i përsërisnim sepse kemi mësuar shumë gjëra ndërkohë. Ashtu sikundër ne e shikojmë se sa rezultat jep kur ti bën një opozitë qorre, shurdhe dhe ku trurin e le në frigorifer kur del nga shtëpia dhe në vend të trurit përdor krahët, përdor këmbët, përdor kokën sikur të ishte një tenxhere bosh me të cilën i bie murit. Nuk funksionon”, u tha Rama këshilltarëve të majtë në Kavajë. /Kavaja.Net