EKSKLUZIVE/ “Gjyqtarët kanë marrë peng FSHF-në”, Bizhdili apel Dukës: Të mos përfundojmë si Qarri…


Besa “shfryn” ndaj gjykimit. Humbja e fundit përballë Egnatias djeg ende, pasi e ka larguar nga objektivi “Superiore”. Kavajasit kanë pretendime për vendimet e Eldorian Hamitit. Është vetë Nexhat Bizhdili që reklamon rastet, ndërsa hapur thotë që gjyqtarët kanë marrë “peng” FSHF-në. Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, numri një i verdhezinjve i bën edhe një thirrje Armand Dukës.

Ai kërkon që ta marrë situatën në dorë, sa nuk është vonë. “Në këtë kohë COVID-i, ku të gjithë sakrifikojmë shëndetin dhe paratë, na duhet të ballafaqohemi edhe me dënime të tilla nga gjyqtarë të cilët nuk e kanë për herë të parë që shkatërrojnë fatet e një takimi. Pa u zgjatur po ua sqaroj: Fillimisht Hamiti akordoi një 11-metërsh në favor të Egnatias, teksa mesfushori rrogozhinas ndalon e mbështetet te këmba e mbrojtësit Perja. Dikush thotë se e vodhi, por gjyqtari aty nuk është roje stallash për të mos e vënë re ‘hajdutin’, e jo më të ‘vjedhë’ bashkë me të.

Pastaj, pas penalltisë sonë të pastër për prekje me dorë brenda zonës, krejtësisht të pranuar dhe nga kundërshtari, vijmë në minutën e 20-të kur rezultati ishte 1-1. Kemi një ndërhyrje karate me shqelmin e ngritur lart në gjoksin e lojtarit tonë, por për gjyqtarin nuk ka asgjë që s’shkon. Mos donte ta shihte lojtarin tonë në koma që të jepte penallti? Turp! Ky moment shënoi gjithë fatin e sfidës, pasi me këtë 11-metërsh dhe me një karton të kuq për kundërshtarin, rezultati shkonte në 2- 1 për ne dhe Egnatia mbetej me 10 lojtarë në fushë. Tjetër rezultat e histori do kishte takimi dhe ju siguroj, fitorja do të fliste për ne”, tha fillimisht ai.

APELI – Nisur nga ky rast, Bizhdili i bën apel presidentit të FSHF-së dhe komisioneve përkatëse, të vënë dorë mbi gjyqtarët. “Shihni çfarë ndodh javë pas jave në Superiore, në Ligën e Parë dhe të Dytë. Gjyqtarët kanë marrë peng FSHF-në dhe po bëjnë çfarë të duan. Kjo është e palejueshme dhe turp i madh. I bëj apel z.Duka dhe të gjitha komisioneve, të ndalojnë sa nuk është vonë këtë masakër që gjyqtarët po bëjnë. Ata duhet të japin llogari e të ndëshkohen.

Nuk mund të luajnë me djersën e klubeve, bashkive, futbollistëve e tifozëve. Kurrë nuk kam menduar e pranuar vetëgjyqësi si ndodhi me presidentin Qarri po me këtë gjyqtar, ndaj bëj dhe këtë apel të fortë dhe të dëgjohet tani. Sepse, nëse vijohet kështu kur gjakrat për shkak të objektivave të fundit të sezonit do të nxehen, druhem se mund të përsëriten skenat që i njohim me gjyqtarët. Dënimet shembullore për këta tregtarë të futbollit do ishin e vetmja zgjidhje”, përfundoi kreu i verdhezinjve.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL