Profesor Besnik Baraj, anëtar i Akademisë së Shkencave, ka prezantuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, disa matje të ndotjes së ajrit në Tiranë, nga grimcat që qëndrojnë pezull në ajër, të cilat depërtojnë në enët tona të gjakut dhe konsiderohen nga OBSH si më të rrezikshmet për shëndetin e njeriut. Këto grimca shkaktojnë sëmundje të rënda si hemoragjitë cerebrale, kanceri, infarktet, etj.
Matjet në mjediset e lokaleve pranë rrugëve kryesore të Tiranës, tregojnë prezencën e këtyre grimcave nga 33.6 në 92.6 mikrogram/m3, shumë herë më e lartë se norma e vendosur nga OBSH, e cila është 5 mikrogram/m3. Në qendrat tregtare, në vendet e parkimit vlerat arrijnë në nivele kritike, deri në 352 mikrogram/m3, nga norma 5 mikrogram/m3.
Ndotja më e lartë u regjistrua pranë një kafeneje tek ish-Ekspozita me 92.6 mikrogram/m3, rreth 18 herë më e lartë se norma e OBSH.
“Këto matje i kam kryer nga ora 08:00 e mëngjesit deri në 10:00 të mëngjesit, në objektet ku njerëzit ulen buzë lokaleve. Ishte ditë e thatë. Vlerat janë shumë të mëdha. Janë shumëfish nga rekomandimi i OBSH”, tha Baraj në Të Paekspozuarit.
Profesor Baraj, i ka bërë matjet edhe në orët e para të mëngjesit, ku ka qarkullim minimal të automjeteve dhe grimcat në ajrin e zonave të ndryshme të Tiranës, janë sërish në nivele alarmante. Vlerat e matura në 15 stacione të Tiranës, nga ora 03:00-05:00, variojnë nga 31.7 – 78 mikrogram/m3. Pra në asnjë rast më e vogël se 5 mikrogram/m3, që është norma e OBSH. Ndotja më e lartë edhe në orët e para të mëngjesit është tek “Pallatet me Shigjeta”, ku arrin në 78 mikrogram/m3.
Për të bërë një krahasim me disa metropole shumë më të zhvilluara se Tirana, ku ka një numër disafish më të lartë të popullsisë, ditën e sotme (29 Janar), në Londër niveli i PM 2.5 ka qenë 13 mikrogram/m3. Në New York ka qenë 4.2 mikrogram/m3. Në Romë ka qenë 12.7 mikrogam/m3. Në Paris ka qenë 16 mikrogram/m3 dhe në Berlin ka qenë 11.1 mikrogram/m3. Ndërsa matjet e Tiranës që ka kryer zoti Baraj, tregojnë shifra shumë më të larta, nga 33-92 mikrogram/m3, në çdo rast shumë më të larta se qytetet e përmendura më lart.
Baraj i ka kryer matjet me një aparat i cili e ka marzhin e gabimit deri në +/- 10%. Edhe po t’ua heqësh vlerave këtë përqindje, shifrat e ndotjes në Tiranë nga grimcat vdekjeprurëse, janë në nivele alarmante, ndërkohë kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili thotë se ka mbjellë një milion pemë, u ka rekomanduar qytetarëve, që nuk u pëlqejnë ndërtimet dhe ndotja, që “të shpërngulen në fshat”. /TPZ