Më në fund, Egnatia thyen për herë të parë këtë sezon Skënderbeun, e nis vitin me fitore, duke mposhtur korçarët me rezultatin minimal 1-0. Pavarësisht se me shumë ndryshime, mbi të gjitha në fazën sulmuese, ekipi rrogonazhinas mbetet një skuadër e fortë, një nga favoritët kryesor për t’i shkuar deri në fund garës për titull.
Vendasit ishin më kërkues, e nisin sfidën në sulm, duke gjetur golin e avantazhit në minutën e 17-të, por gjyqtarja e takimit, anuloi gjithçka për pozicion jashtë loje.
Në të 30-tën ishte Fernardo që provoi me një goditje të bukur nga jashtë zonë, por portieri Alia në pozicion ngrushtoi në këndore. Të dy ekipet zhvilluan një futboll të hapur, por rezultati mbeti i pandryshuar në fraksionin e parë.
Me fillimin e pjesës së dytë, Xhoel fiton një 11-metërsh për faull në zonë, ndërsa nga pika e bardhë e penalltisë, Fernardo me një “panenka” të bukur u tregua i saktë duke kaluar Egnatian në avantazh.
Në minutën e 61-të, Skënderbeu iu afrua golit të barazimit me një zbritje të shpejtë në sulm, ndërsa në aksionin pasues, Egnatia shpërdoroi një rast të pastër për të dyfishuar shifrat. Skënderbeu flirtoi me golin e barazimit në minutën e 84-të, por veprimi i bukur i Sebastine shkoi pak mbi traversë.
Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund, me Egnatian që del me tre pikë në sfidën e parë të fazës së tretë duke shkuar në kuotën e 40-të pikëve.