“Egnatia nuk do të jetë kalimtare në Superiore. Do të jetë një kundërshtar i vështirë për të gjithë dhe ne do të luftojmë për 4 vendet e para”.
Kështu e nis intervistën për “Panorama Sport” administratori i klubit rrogozhinas, Olsi Dranga. Ai premton që ndeshjen e parë në kampionat skuadra do ta luajë në stadiumin e ri dhe se po punohet me ritme të larta që gjithçka të shkojë sipas planit.
Deri në ç’pikë është Egnatia me ndërtimin e skuadrës së re?
Mund të na e ndani me përqindje? Nëse doni patjetër të flasim me përqindje, atëherë po ju them se deri tani kemi ndërtuar afërsisht 70% të skuadrës. Nuk kemi mbaruar punë ende, por të jeni të bindur se po bëjmë më të mirën.
Shumë skuadra që ngjiten në Superiore, ndodh që pas vetëm një sezoni të rikthehen në Kategorinë e Parë… A ekziston ky rrezik për Egnatian?
E di që ka ndodhur kështu në të kaluarën dhe për fat të keq ky lloj paragjykimi na përndjek edhe ne, por dua të jem i qartë: Egnatia nuk do të jetë “meteor” në Superiore. Pra, nuk po punojmë që thjesht të marrim pjesë një sezon edhe më pas të zbresim. Jo. Objektivi ynë është që të ndërtojmë një skuadër konkurruese dhe të jemi seriozë për sezonin e ri. A keni një objektiv për sezonin e ardhshëm? Objektivi dhe dëshira jonë është që të kapim një nga 4 vendet e para.
A nuk është e ekzagjeruar kjo për një skuadër që ka 16 vite që nuk luan në Superiore?
Jo, nuk e mendoj kështu. Dakord, 16 vite janë shumë, por unë po ju them se do të bëjmë më të mirën. Presidenti, stafi teknik, administrata, por edhe deri te punëtori i fushës po punojmë me seriozitet dhe me shumë dëshirë për t’i bërë gjërat mirë. Natyrisht, nuk mund të premtojmë mrekulli, por do të jemi seriozë dhe një kundërshtar i vështirë për të gjithë. Ju më kërkuat objektivin dhe unë jua dhashë një përgjigje. Të tjerat do t’ia lëmë fushës së lojës.
Meqë jemi te fusha, kur do të luajë Egnatia në stadiumin e ri?
Punimet në stadium janë të ndara në tri faza. Është një investim kolosal nga ana e presidentit dhe një zotim që skuadra ndeshjen e parë ta luajë në stadiumin e ri. Prandaj, unë jam i bindur se kështu do të ndodhë, pasi po punojmë me ritme të larta.
Ju thatë që Egnatia nuk do të jetë “kalimtare” në Superiore. Pse e keni këtë bindje?
Sepse ndryshe nga shumë skuadra që në të kaluarën janë ngjitur në Superiore, por më pas kanë prishur pothuajse gjithë grupin dhe nuk kanë mundur të mbijetojnë, tek Egnatia po punohet ndryshe. Pikësëpari, po ju them se ne kemi ruajtur 50% të grupit.
Pra, kemi ruajtur boshtin dhe njerëz që e njohin ambientin, janë lojtarë cilësorë, por ndihmojnë edhe të rinjtë që të përshtaten më shpejt. Kemi një staf të përkushtuar, kemi financa të sigurta dhe njerëz seriozë që drejtojnë klubin. Njerëz që po bëjnë investime të mëdha dhe që mendojnë për të ardhmen. Dua të theksoj gjithashtu se merkatoja jonë nuk ka mbaruar.
Që do të thotë?
Që do të thotë se ne do të afrojmë edhe 7 lojtarë të tjerë. Nuk do të ngutemi, sepse lëvizjet duam t’i bëjmë të studiuara, por mund t’ju them se do të jenë emra të rëndësishëm. Vërtet deri tani merkato nuk ka qenë e bujshme, por ju siguroj se surprizat në të ardhmen nuk do të mungojnë.
A mund të bëhet Egnatia në të ardhmen një pikë referimi në aspektin sportiv për Rrogozhinën, Peqinin dhe Kavajën?
Pra, që akademitë tuaja të jenë joshëse edhe për të rinj të qyteteve aty afër? Do të doja shumë që të ndodhë kështu, por nuk mund të flasim tani për një projekt të tillë.
Për të arritur në nivele të tilla duhen projekte 5 ose 10-vjeçare. Është e vështirë. Duhet të kuptojmë që realiteti te ne është goxha i vështirë. Por, nëse do të krijohen mundësitë, pse jo. Mua më pëlqen më së shumti të jem me këmbë në tokë edhe të mos shpërqendrohem. Tani kemi objektiv të ndërtojmë një ekip cilësor, të ecim me ritmet e duhura me stadiumin dhe më pas të shohim.
Pse ky pasion për klubin e futbollit?
Së pari, një herë është një detyrim ndaj vendlindjes dhe ndaj qytetit tim. Më është dhënë mundësia të jem pjesë e klubit dhe po përpiqem që të bëj më të mirën. Në Rrogozhinë futbolli është ndër të paktat gjëra, për të mos thënë e vetmja, që i jep ngjyra jetës sociale për gjatë gjithë vitit.
Së dyti, unë vetë kam luajtur me të rinjtë e Egnatias deri në moshën 18-19 vjeç, sepse më pas nisa studimet për jurisprudencë. Së treti, është edhe çështje familjare. Babai im ka qenë një ndër njerëzit që ndihmuan Egnatian që 16 vite më parë të ngjitej në Superiore. Në këtë kuptim, duket se është edhe diçka e trashëguar… (qesh).
ALDO BUZI – PANORAMASPORT.AL