Një stallë bagëtish është përfshirë nga flakët në Vajkan të Fierit.
Mendohet se një numër bagëtish janë djegur të gjalla, por deri më tani, asgjë nuk është gjetur, pasi vatra e zjarrit është ende aktive.
Pasojat e flakëve kanë prekur një familje.
Gruaja, tregon mes lotësh dëmet e mëdha që i janë shkaktuar. Të mbjellat me misër, grurë e disa bagëti janë djegur, ndërsa shton, se zjarri ka ardhur nga autostrada drejt e pranë shtëpisë së tyre.
“Janë djegur disa pula deti, misra e grurë. Nga dy lopë vetëm njëra është. Ca qenë. S’kam ç’të them u dogjën.
Zjarri erdhi nga autostrada, morëm zorrën e ujit, s’e ndaluan dot. Morën zjarrfikëset. Janë djegur shumë, disa misra, bari për bagëtitë, gruri, u dogjën, ç’të bëjmë. E kishim grurin në hambar, edhe misrin”, thotë gruaja.
Raportohet se në operacion janë përfshirë forca zjarrfikëse nga Lushnja dhe Fieri, ku po punojnë për neutralizimin e flakëve.