E Konfirmon Drejtori i OSHEE, Ujsjellësi i Kavajës s’ka mundësi të paguajë energjinë elektrike

Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve në Kavajë Nuk ka asnjë mundësi të paguajë energjinë elektrike. Këtë fakt e ka pranuar vetë Drejtori i OSHEE, Ardian Çela i cili e ka renditur ndermarrjen e Kavajës në listën e qytetete që nuk kanë asnjë mundësi të shlyejnë jo vetëm borxhet e akumuluara ndaj institucionit që ai drejton.

Çela bën të ditur se Ujësjellës Kanalizime Kavajë nuk ka asnjë mundësi të paguajë as faturën mujore të energjisë.

Sipas një analize të “Monitor” borxhet e prapambetura ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike arritën në fund të 8-mujorit të këtij viti 687 milionë euro.

Në raport me fundin e vitit 2021 ky total u rrit me 1.8 për qind dhe kontributi për këtë efekt negative i atribuohet institucioneve të administratës dhe biznesit.

Në një intervistë të posaçme për “Monitor” në numrin e 200 kompanive më të mëdha shqiptare sipas me xhiros vjetore në vitin 2021 administratori i OSHEE Group Adrian Çela pohoi se në disa bashki ka përmirësim të gjendjes, tregohet korrektësi në pagesat e detyrimeve, megjithatë, panorama e përgjithshme paraqet një situatë, ku niveli i borxhit ndaj OSHEE ka arritur në rreth 24 miliardë lekë (nga të cilat, 11 miliardë lekë janë kamatëvonesa).

“Detyrimet ndaj nesh, pra FSHU-së, rriten çdo vit me 1.4 miliardë lekë, kurse për vitin 2022, pritet të jetë më e lartë, për shkak të kalimit të disa shoqërive në status FMF, me tarifë më të lartë, vendosur nga ERE (18.8 lekë/kWh, nga 12 që ishte më parë).

Megjithatë, kemi shoqëri që nuk kanë detyrime, ose janë në marrëveshje për pagesat me këste, duke shlyer edhe detyrimet e prapambetura si UK Tiranë, UK Berat, UK Lezhë, UK Korçë dhe UK Pogradec. Sikurse kemi shoqëri që mundohen të mos krijojnë detyrime të reja, pra paguajnë vetëm faturën korrente si Ujësjellës-Kanalizime Fier, Elbasan dhe Sarandë.

Disa shoqëri e paguajnë pjesërisht faturën si UK Durrës, 34% të faturës, UK Lushnjë, 58%, UK Shkodër, 59% apo dhe UK Vlorë, 64%. Ndërsa, mund të themi, kemi shoqëri në pikë kritike, të cilat nuk kanë asnjë mundësi pagese, si UK Cërrik, Patos, Kavajë, Kurbin, Selenicë, Tepelenë, Libohovë”, nënvizoi Çela.

Gjoba Drejtorëve

Në 5 Tetor pas mbledhjes së qeverisë Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Energjetikës, Belinda Balluku prezantoi aktin normativ të miratuar nga Këshilli i Ministrave në kuadër të masave për përballimin e krizës energjetike. Balluku bëri me dije se çdo institucion shtetëror do të duhet të ulë konsumin e energjisë elektrike në një masë prej 15% të energjisë së konsumuar me faturën e një viti më parë.

Sipas saj çdo institucion do të mbikëqyret nga një administrator, i cili do të ketë synim të ulë konsumin e energjisë elektrike, ndërsa titullarët e tyre do të gjobiten me një masë prej 50 mijë lekësh të reja.

“Do të kërkojmë uljen e konsumit të energjisë elektrike për sa i përket institucioneve shtetërore. Për këtë arsye përmes këtij projekt-akti kërkojmë nga 15 % të energjisë së konsumuar krahasuar me faturën e një viti më parë. Kjo energji është ekuivalente me 3.4 miliardë lekë.

Duke nisur nga të gjithë institucionet shtetërore do emërojmë një administrator energjetik që do ketë si target uljen e konsumit me 15 % për çdo institucion.Masa është deri në 50 mijë lekë gjobë për çdo drejtues institucioni i të cilit harxhon më shumë energji”, u shpreh Balluku.

INVESTIMI DHE DETYRIMET

Kavaja u be pjesë e qyteteve për tu investuar në një rrjet të Ri të shpërndarjes së ujit të pishëm. Mbi 8 Milionë dollarë, si asnjë projekt tjetër kushtonte vendosja e rrjetet të Ri në të gjithë qytetin, dhe bëhet fjalë vetëm për rrjetin kryesor. Me gjithëse ka mbi 2 vite që ka filluar, projekti ende nuk ka perfunduar duke lënë pa rregulluar rrugët edhe shtruar asfaltin ne disa rrugë në të cilat janë hapur kanalet dhe janë mbyllur provizorisht.

Por një problem madhor në Kavajë është mbledhja e pagesave të ujit të pijshëm. Megjithatë ketu ka diskutime, pasi shumë qytetarë refuzojnë ta pinë ujin e çezmës dhe e blejnë nga makinat- bote që e sjellin çdo jave. Qytetarët, nje pjesë e konsiderueshme nuk paguajnë faturat e uji duke shkaktuar efekt negativ në buxhetin e institucionit që nuk mbledh asnjëherë të ardhurat e parashikuara. Një pjesë e tyre në emigracion dhe një pjesë nga mungesa e të ardhurave nuk shlyejnë faturat.

Keto mungesa të Financave bëjnë që vetë Ujësjellës Kanalizime Kavajë të jetë debitore prej vitesh në OSHEE për mospagim të energjisë elektrike. Nga ana tjetër jo Vetem ne kete insitucion por edhe të tjera energjia konsumohet pa kriter, me furnella e kondicionere të ndezur kurdo duke rritur borxhet e tyre ndaj OSHEE.

Vetë Kryetari I Bashkisë Kavajë Redjan Krali, tha se borxhi i këtij institucioni arrin në total 820 milionë lekë. Pjesën më të madhe të borxhit e zënë faturat e OSHEE-së, ndërsa mohoi zërat se  bashkia është në rrezik falimenti.