Një situatë e tensionuar është shfaqur mes gazetarëve dhe punonjësve të Bashkisë Lushnjë, gjatë shoqërimit të zyrtarëve lokalë të arrestuar në kuadër të operacionit antikorrupsion të SPAK, ku u prangos dhe kryebashkiaku Fatos Tushe. Siç shihet dhe nga kjo video, teksa një gazetar po filmonte shoqërimin e një prej punonjësve të bashkisë, një person shfaqet përpara kamerës në mënyrë që të pengojë filmimin e gazetarit. Më pas del dhe i dashuri i vajzës në fjalë, i cili me tone kërcënues intimidon gazetarët duke i thënë: “Ti ta mbash mend ti”!
Kujtojmë se gjatë operacionit të sotëm antikorrupsion në Lushnjë janë arrestuar 11 persona mbi të cilët rëndojnë akuzat e ”korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, “shkelja e barazisë në tendera apo ankande publike”, “shpërdorimi i detyrës” dhe “falsifikimi i dokumenteve”, ndërkohë që hetimet kanë nisur që prej vitit të kaluar.
7 prej personave të arrestuar, përfshirë dhe kryebashkiakun Tushe janë lënë nën masën e arrestit me burg, ndërkohë që 4 të tjerë, punonjës së zyrës së pasurive publike, janë lënë nën masën e arrestit të shtëpisë.
Zyrtarët e Bashkisë së Lushnjes janë prangosur brenda institucionit, ndërkohë që me urdhër të SPAK janë kryer kontrolle dhe në zyra të tjera të bashkisë.
Mësohet se tenderi për të cilën kanë nisur hetimet është me vlerë 240 milionë lekë të vjetra, që ka të bëjë me projektin e një ujësjellësi të ri, dhe Tushe bashkë me zyrtarët e tjerë kanë shkelur barazinë mes kompanive në garë. Dy biznesmenët e arrestuar janë: Ibrahim Lami, administrator i “Loti SHPK” dhe Bujar Murati, administrator i “Euro alb shpk”.
Arrest me burg
Fatos Tushe, kryetari i Bashkisë së Lushnjes
Flamur Peqini, drejtor i ndërmarrjes së pasurive publike
Ibrahim Lami, administrator i “Loti SHPK”
Bujar Murati, administrator i “Euro alb shpk”
Gazment Çela, zyrtar i ndërmarrjes së pasurive publike
Bektash Nexha, zyrtar i ndërmarrjes së pasurive publike
Blerta Turku, zyrtare e ndërmarrjes së pasurive publike
Arrest shtëpie
Xhemal Hasko, zyrtar i ndërmarrjes së pasurive publike
Margarita Gjermeni, zyrtare e ndërmarrjes së pasurive publike
Andri Nusho, zyrtar i ndërmarrjes së pasurive publike
Ani Simoni, zyrtare e ndërmarrjes së pasurive publike