Dy orë protestë, opozita mesazhe BE-së. Berisha goditet me grusht, por nuk ndalon. SHBA reagon e skandalizuar. Meta: Liri a vdekje, t’i tregojmë vendin pjellës bastarde

Opozita ka zhvilluar sot protestën e 3 kombëtare në pak muaj, me mesazhe të qarta për Brukselin, teksa në vend u mbajt sot Samiti BE-Ballkani Perëndimor ku ishin të pranishëm 27 liderë europianë.

Qytetarët kanë protestuar të qetë, por protesta është shënuar nga një incident i rëndë që ndodhi pak minuta pas nisjes së saj. Në kohën kur lideri i opozitës Sali Berisha dhe kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta kanë dalë nga selia e PD-së të rrethuar nga qytetarë të shumtë një person u shkëput nga turma dhe goditi me grusht kreun e PD në fytyrë.

Berisha u rrëzua i gjakosur, teksa më pas protestuesit e tjerë, mbështetës të tij vrapuan për ta mbrojtur. Truprojat e kreut të PD-së dhe njerëz të afërt të tij, larguan protestuesit e nervozuar që qëllonin autorin, një 31-vjeçar nga Tepelena me banim në Tiranë.

Mbështetësit e dorëzuan më pas agresorin në polici, teksa ai u dërgua në spital për shkak të disa lëndimeve.
Kreu i PD-së Sali Berisha vetëm pak minuta pasi u godit dha një mesazh nga podiumi i ngritur për të qetësuar protestuesit.

“Populli i opozitës, populli i fitores! Poshtë Edi Rama, poshtë kriminelët! Ne do të triumfojmë! Rroftë opozita shqiptare!
Nderim ju që jeni sot këtu së bashku për të protestuar kundër regjimit të horrave dhe kriminelëve. Nder përjetë, popullit protestues”, tha Berisha.

Pas tij dhanë mesazhe disa prej figurave të PD-së. Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, teksa mori fjalën bëri thirrje për t’u përballur me kryeministrin Edi Rama.

“Koha e fjalëve dhe e fjalimeve duhet t’i lërë vendin kohës së veprimeve të organizuara për t’i treguar vendin, pjellës më bastarde të kësaj toke, që organizoi sot në ditën e Samitit evropian, një ngjarje të denjë për një kryeministër skizofren, delikuent dhe tradhtar.
Për zbatuesin e platformës së spastrimit etnik që e ndjen sot çdo familje shqiptare, përmes instalimit të një regjimi mafioz. Prandaj, të gjithë me poezinë e Havzi Nelës ‘Liri a vdekje’, për t’i treguar vendin këtij regjimi mafioz! Përshëndetjet më të përzemërta të gjithë juve dhe liderit të PD-së, Prof. Dr. Sali Berishës!”, tha Meta.

REAGON ASHPËR SHBA
Ambasada amerikane në Tiranë reagoi ashpër pas incidentit dhe sulmit ndaj kreut të PD-së Sali Berisha.
“U skandalizuam nga sulmi fizik sot ndaj një anëtari të parlamentit dhe presim që autoritetet ta hetojnë plotësisht incidentin. Askush nuk duhet sulmuar sepse ushtron lirinë e fjalës në përputhje me ligjin”, u shpreh një zëdhënës i ambasadës së SHBA.
Ashtu siç nisi e qetë, me pankarta e thirrje Europës për të parë çfarë ndodh në Shqipëri dhe kundër kryeministrit Edi Rama, pas 120 minutash protestuesit u shpërndanë të qetë.

Ora 14:15- Mbyllet protesta e opozitës
Protesta që zgjati rreth 120 minuta nisi nga sheshi “Skënderbej” dhe e përfunduar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, por pa thyer perimetrin e sigurisë të vendosur nga policia për samitin BE-Ballkani Perëndimor.

Protesta nisi me tensione, teksa një incident i fortë dhe i paprecedentë e shënoi ditën e sotme. Përkundër protestuesve paqësorë me thirrje drejtuar Europës, një 31-vjeçar ka sulmuar kryeopozitarin Sali Berisha.

Kreu i PD-së Sali Berisha dhe kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta kanë marshuar nga selia e PD drejt bulevardit, teksa Berisha është qëlluar nga një person me grusht. Mësohet se Berisha është gjakosur në fytyrë, madje edhe është rrëzuar. Ndërkohë, ndërhyrja e truprojës të tij dhe simpatizantëve të tjerë ka qenë e menjëhershme duke neutralizuar autorin.