Dy oficerë të policisë gjyqësore kanë mbërritur në banesën e ish-kryeministrit Sali Berish për t’i komunikuar masën e “arrestit në shtëpi”.
Berisha do të duhet të zbatojë këtë masë sigurie derisa të ketë një vendim të Gjykatës së Apelit.
Vendimi u dha nga gjyqtarja Irena Gjoka, të cilin ish-kryeministri e ka akuzuar në vijimësi se është në konflikt interesi për shkak se e ka shkarkuar atë në vitin 1996.
Gjykata e Posaçme urdhëroi deputetin Berisha të mos largohet nga banesa e tij dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë me të në të njëjtën banesë, ndërsa për zbatimin e kësaj mase ngarkoi SPAK-un dhe shërbimet e policisë gjyqësore.
Sipas procedurave, mbikëqyrja policore parashikon shërbime të rregullta pranë banesës së zotit Berisha për të ndjekur respektimin e kësaj mase nga ana e tij.
Avokatët e zotit Berisha thanë se ky vendim do të apelohet më tej brenda afatit ligjor, por kufizimet e komunikimit për një deputet janë, sipas tyre, të paligjshme, sepse duheshin bërë me një autorizim nga Kuvendi.
Ish- kryeministri nën hetim Sali Berisha dyshohet për korrupsion pasiv në bashkëpunim në lidhje me çështjen e procedurave të privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani, gjatë të cilave SPAK-u dyshon se ai me akte nga më të ndryshmet ka ushtruar ndikim dhe presion, duke favorizuar dhëndrrin e tij Jamarbër Malltezi, një nga pronarët e atij trualli, që u mbush shpejt me një grup pallatesh.