Që nga fillimi i pluralizmit e deri më sot, Shqipëria ka pasur 8 Prokurorë të Përgjithshëm. Ky post i lartë i akuzës, shpesh ka sjellë edhe luftëra të forta politike mes palëve, por edhe brenda llojit.
Prokurori i parë i Përgjithshëm i zgjedhur në Shqipërinë postkomuniste, pas zgjedhjeve të para pluraliste më 31 mars 1991, ka qenë juristi Petrit Serjani.
Zgjedhja e tij ndryshe nga ato që pasuan u bë pa shumë debate, pasi situata politike ishte e tillë që vëmendja nuk u përqendrua edhe aq shumë në këtë post, edhe pse ishte një ndër më të rëndësishmit.
Petrit Serjani qëndroi në detyrë, deri në korrik të vitit 1992. Vendin e tij e zuri avokati i njohur, Maksim Haxhia. Kandidatura e Haxhisë u votua me mbështetjen e të gjitha grupeve parlamentare, përfshi këtu edhe atë të PS-së, i drejtuar nga Namik Dokle.
Maks Haxhia njihet si kryeprokurori më jetëshkurtër në atë detyrë të lartë; vetëm 4 muaj, korrik-tetor 1992. Mazhoranca e djathtë në atë kohë ishte e pakënaqur me kryeprokurorin, për tolerancën që i bëri ish-nomeklaturës komuniste.
Në vend të Maks Haxhisë, në nëntor 1992 nga mazhoranca demokrate, Prokuror i Përgjithshëm, u zgjodh Alush Dragoshi. Ai mbahet mend më së shumti për urdhër-arrestin ndaj kryetari i atëhershëm të Partisë Socialiste, Fatos Nano.
Pas trazirave të vitit 1997, dhe rikthimit të PS-së në pushtet në qershor të atij viti në krye të prokurorisë së përgjithshme erdhi Arben Rakipi. Rakipi do të shënjojë në historinë e kryeprokurorëve të pluralizmit, rastin më tipik të përfshirjes dhe luftës politike për atë post. Dhe madje, brenda të së njëjtit lloj.
Në pranverën e vitit 2002 ai u shkarkua përfundimisht pas një beteje mes dy grupeve rivale brenda PS-së, që udhëhiqeshin respektivisht nga Fatos Nano dhe Ilir Meta.
Ilir Meta i cili sapo kishte dhënë dorëheqjen nga kryeministër dhe grupi i tij i deputetëve socialistë, mbështetën shkarkimin e Rakipit pas një mocioni të iniciuar nga opozita e drejtuar nga Sali Berisha. Pavarësisht mbrojtjes së fortë nga ana e Fatos Nanos, Ilir Meta, Pandeli Majko dhe shumë emra të tjerë të njohur të grupit parlamentarë të PS-së, e kishte ndarë mendjen për shkarkimin e Rakipit. Në fund të seancës, ai u shkarkua me 78 vota pro, 10 kundër, 5 abstenime. Ky votim më shumë se kundër Rakipit ishte një konfirmim se mazhoranca e Fatos Nanos në Kuvendin e Shqipërisë kishte rënë, duke përfunduar me vetëm dhjetë vota.
Në vend të Arben Rakipit, prokuror i përgjithshëm u emërua Theodhori Sollaku. Fillimisht ai u cilësua si figurë konsensuale pasi kishte qenë më herë këshilltar juridik i Sali Berishës kur ishte President dhe më pas kishte qëndruar në këtë detyrë, edhe gjatë presidencës së Rexhep Meidanit. Sollaku pati jetëgjatësi më të madhe se paraardhësit në këtë post të lartë, plot 5 vite, por edhe ky pati fatin e një shkarkimi nëpërmjet një komisioni hetimor.
Pas zgjedhjeve parlamentare te vitit 2005, PD-ja erdhi sërish në pushtet dhe në vitin e dytë të qeverisjes ngriti komision hetimor për veprimtarinë e Prokurorisë së Përgjithshme. Por presidenti i atëhershëm, Alfred Moisiu refuzoi të firmosë shkarkimin e Sollakut nga detyra.
Në vitin 2007, falë edhe një votimi me 3/5 që përçau PS-në, President i Republikës u zgjodh zëvendësi i Berishës në PD, Bamir Topi. Një ndër vendimet e para të tij, ishte firmosja e shkarkimit të Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, duke u bazuar mbi raportin e komisionit hetimor për veprimtarinë e prokurorisë.
Në të njëjtin dekret, Topi emëroi në vend të Sollakut prokuroren Ina Rama, e cila ishte në atë kohë anëtare e gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda. Berisha, i cili më pas do të kishte përplasje të forta me këtë kryeprokurore, e quajti atëherë Ina Ramën me superlativë; “Silvia Konti”.
Ngjarjet e 21 Janarit krijuan thyerjen e fundit mes mazhorancës PD-LSI dhe kryeprokurores Ina Rama. Një komision hetimor për shkarkimin e parakohshëm të saj dështoi dhe më pas plasi debate politik për kohën se kur i mbaronte mandati 5-vjeçar. Opozita pretendonte verën e vitit 2013, kurse mazhoranca nëntorin e vitit 2012. Gjithsesi me anë të një dekreti të lëshuar nga presidenti Bujar Nishani, në fillim të dhjetorit të vitit 2012 ajo largohet nga zyra e lartë.
Ina Ramën do ta pasonte Adriatik Llalla. Kryeprokurori i ri i Republikës deri në atë kohë mbante postin e drejtuesit të Inspektoriatit të Deklarimit të Pasurive, të cilin e ndërpreu. Llalla do të mbahet mend si prokurori që ka arrestuar Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Civicin, akt i cili u mirëpritën me shumë optimizëm nga opinioni publik. Në fillim të muajit dhjetor 2017, Adriatik Lallës i mbaroi mandati 5-vjeçar. Aktualisht ai është kryeprokurori i parë me një proces penal, i dënuar dhe në një betejë në Apel me Gjykatën e Posaçme për çështjen e pasurive të tij.
Në një seancë plot bomba tymuese, në 18 dhjetor 2017, parlamenti zgjodhi me 69 vota pro dhe 2 kundër në vend të Llallës, Kryeprokuroren e përkohshme Arta Marku. Pavarësisht kundërshtimit të forta të opozitë dhe shkeljes së kushtetutës, Partisë Socialiste, arriti që ta kap vetëm për vete këtë post të lartë.
Arta Marku do të mbahet mend si një nga kryeprokuroret, e cila i ka shërbyer në mënyrë të hapur pushtetit, duke mbyllur dhe sabotuar disa nga çështjet më sensitive dhe politike gjatë 2 viteve që qëndroi në atë pozicion. Marku transferoi në mënyrë të paligjshme prokurorët e çështjes Tahiri, duke e lënë atë hetim të mangët. Sorollati dhe shkatërroi hetimet e vjedhjes së votave në zgjedhjet lokale të Dibrës dhe ato të përgjithshme, të vitit 2017. Nëse dosjet 184 dhe 339 nuk të kishin dalë në mediat e huaja, shqiptarët kurrë nuk do ta mësonin se çfarë kishte ndodhur me votën e tyre.
Arta Marku lejoi që të ikë drejt Italisë pa e hetuar si duhet, vëllanë e ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafa. Shkarkoi nga detyra disa drejtues të prokurorive të rretheve dhe të Prokurorisë së Përgjithshme, duke komanduar të tjerë dhe krijuar një situatë të paprecedentë konflikti brenda organit të akuzës dhe veçanërisht te krimet e Rënda pasi emëroi aty shoqen e saj të ngushtë Donika Prelën.
Ashtu sikurse shkeli kohëzgjatjen në atë detyrë (socialistët kur e zgjodhën betoheshin se Marku do të qëndronte vetëm 2- 3 muaj), ajo shkeli hapur edhe kompetencat që i jepte ligji. Vendosi nisjen e hetimit disiplinor për shtatë prokurorë dhe urdhëroi transferimin e tre prokurorëve nga krimet e rënda në prokuroritë e rretheve. Por ky urdhër u shfuqizua nga Gjykata Administrative, si dhe u rrëzua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Marku pranoi publikisht shkeljen e ligjit kur u hap debati i ekstradimit të fshehtë të financierit të bandës së Habilajve, Nazer Seiti, duke sabotuar hetimin në Shqipëri.
Në gusht 2019, Arta Marku vendosi në mënyrë antiligjore që dosja e nxehtë e vjedhjes së votave në Dibër të kalojë nga Krimet e Rënda në prokurorinë e këtij rrethi, pa miratimin e gjykatës. Në gati dy vite, që kur u betua në parlament mes tymit dhe flakëve se do të zbatonte Kushtetutën, Arta Marku, ka mbajtur vetëm një zotim: Atë për t’i shërbyer pushtetit të Edi Ramës, duke i mbyllur çdo skandal të madh.
Në 5 dhjetor të vitit 2019, me 101 vota pro, parlamenti zgjodhi kryeprokurorin e ri, Olsian Çela. Mandati i tij është 7-vjeçar, por me kompetenca shumë më të kufizuara nga Reforma në Drejtësi, krahasuar me paraardhësit.
Karriera e Olsian Çelës fillon në vitin 2001, kur pas diplomimit në Shkollën e Magjistraturës, ushtroi për pak kohë detyrën e prokurorit në institucionin e akuzës në kryeqytet. Tre vite më vonë, në 2004, emërohet prokuror tek Krimet e Rënda, ku qëndroi për një periudhë katër vjeçare. Çela ka hetuar disa dosjet e bujshme, si ajo e laboratorit të kokainës në Xibrakë, për të cilën mediat dhe opozita kanë denoncuar, se nuk iu shkua deri në fund duke “shpëtuar” vëllanë e kryeministrin, Olsi Ramën. Gjithashtu Çela ka hetuar edhe grabitjen e bujshme në aeroportin e Rinasit në vitin 2016, masakrën e Kartodromit dhe grupin e Niklës.
Pas afro një viti e gjysmë në këtë detyrë, ai më shumë po shfaqet nëpër media duke bërë vizita nëpër prokuroritë e rretheve dhe lëshuar deklarata populiste. Tashmë Prokuroria nuk është më një institucion i centralizuar dhe prokurorët kanë, “pavarësi të brendshme për hetimin dhe ndjekjen penale”.
Mbi të gjitha, SPAK, Prokuroria e Posaçme për hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe për akuzat penale kundër zyrtarëve të lartë sipas ndryshimeve kushtetuese, është e pavarur nga Prokurori i Përgjithshëm./Syri tv