Nënkryetari i këshillit Bashkiak të Tiranës, nga opozita, Dorian Teliti, në protestën e ditës së sotme që po mbahet para Bashkisë Tiranë në lidhje me aferën “5D”, tha se SPAK-u duhet të merret me “peshkaqenët e mëdhenj” jo me të vegjlit. Gjithashtu ai deklaroi se rezistenca duhet të vijojë nga qytetarët deri në arritjen e objektivave.
“Të hënën një akt tjetër kriminal i denjë për vjedhjet e deritanishme, në Linzë u mor me qera 600 metra katrorë për një çerdhe, sepse fëmijët e Tiranës nuk kanë çerdhe. Por nuk mund të marrësh me 15 euro metri në atë zonë.
Më habit fakti se si ky njëri nuk tërhiqet nga vjedhjet e abuzimet. Kjo duhet të marrë fund një orë e më parë. Në këto zyra nuk ka vend për njerëz që shkelin ligjin.
Sot SPAK-u duhet të flasë. Mjaft më u mor me morrat e vegjël e cironkat, le të merret me peshkaqenët e mëdhenj. Korrupsioni në piedestalin 100 përqind nuk duhet të ketë vend në vendin tonë. Të rezistojmë, siç jemi sot të vijojmë deri në arritjen e objektivave tona”, tha Teliti.