DOKUMENTI/ Ndërtimet e hoteleve e pallateve në Portin e Durrësit, qeveria i fal taksat kompanisë. Marrëveshja mbahet sekret

 

Qeveria i kërkoi Parlamentit sot të shqyrtojë me procedurë të përshpejtuar marrëveshjen me kompanitë “Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company”, sh.a., dhe “Nshmi Development L.L.C”, për ndërtimin e portit Portit të Durrësit.

Dokumenti i paraqitur në Kuvend përbëhet vetëm nga tre faqe dhe ka plot gjashtë nene për një aferë që sipas opozitë e ka vlerën 2.1 miliardë euro.

Në nenin dy të projektligjit që deputetët do ta votojnë në seancën parlamentare të 24 nëntorit parashikohet fakti që shoqëria që do të ndërtojë hotelet dhe pallatet në portin e Durrësit do të përjashtohet nga taksa e ndërtimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja dhe kontributin që ajo duhet të japë për strehimin social.

“Shoqëria e përbashkët për realizimin e projektit “Marina & Jahtet e Durrësit” përjashtohet nga detyrimi për të paguar taksën e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja dhe kontributin e strehimit social, sipas legjislacionit në fuqi për sistemin e taksave vendore dhe legjislacionit në fuqi për strehimin social. Vlera e detyrimit të përjashtuar është pjesë e kontributit të shtetit shqiptar në investim, sipas marrëveshjes së përcaktuar në nenin 1, të këtij ligji”, thuhet në projektligj.
Dokumenti që i është paraqitur sot deputetëve, përpara se të nisin diskutimin nëpër komisione e më pas në seancë parlamentare, parashikon që së bashku me të janë edhe shtojcat e marrëveshjes, por që deri në këto momente nuk janë bërë publike.