“Do të vras ty dhe vëllain”, i pret gishtat bashkëshortes dhe e kërcënon me jetë, arrestohet 36-vjeçari

 Parandalohet një ngjarje e rëndë kriminale në familje në Kukës, ku është arrestuar një 36-vjeçar që i kishte dëmtuar gishtat, me mjet prerës, bashkëshortes së tij dhe e kërcënonte se do të vriste atë dhe të vëllanë e saj me armë zjarri. 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës, pasi kanë marrë njoftim se në fshatin Kryemadh, shtetasi B. S. kishte konflikt me bashkëshorten e tij, shtetasen L. S., 35 vjeçe, të cilën e dhunonte dhe e kërcënonte me armë zjarri, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Ndërhyrja”.

Gjatë kontrollit në banesë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pushkë të mbushur me fishekë dhe një thikë. 

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.