Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, në fjalën e tij për simpatizantët, u shpreh se kur PD të vijë në pushtet do të rrisë pensionet, bursat e pagat.
Ai u shpreh se paratë për realizimin e këtyre premtimeve do të merren nga paratë e vjedhura nga rrugët.
“Më lejoni pak të fillojmë së bashku këtu para jush të dëshmoj se ku do të merren ato para. Normale është të shtrohet kjo pyetje.
Së pari, Edi Rama e harron Ismailin. Kryeministri i ardhshëm do të udhëtojë vetëm si pasagjer në linjat tregtare. Ja ku i ndamë 20 milionë euro.
Ku do mirren ato para? Të dashur miq!
Do mirren para së gjithash në qindra milionë euro që vidhen në rrugët e vendit.
Do të ju jap vetëm disa shembuj.
Rruga Orikum-Sarandë e keni parasysh e tëra në zonë shkëmbore-malore, 74 km është rikonstruktuar me 71 mln euro. Po sa janë rritur çmimet e ndërtimeve gjatë këtyre viteve?
Ato janë rritur 14%, asnjë qindarkë më shumë.
Pra rruga do të kushtonte sot 84 mln euro. Por rruga është e gjatë 74 km.
Të kthehemi pak këtu afër. Rruga Tiranë-Plepa nga Ndroqi është e gjatë 39 km. A mund të imagjinoni ju, se Edi Rama me Lubi Ballukun, kanë parashikuar nga 40 mln euro, që ishte ndërtimi, e kanë dyfishuar në 90 mln euro.
Miqtë e mi, në të gjithë botën kjo rrugë nuk kushton kurrë më shumë se 30 mln euro. Atëherë a mund ti heqim 60 mln euro nga kjo rrugë dhe na bëhen 80 mln nga udhëtimet e Ismailit të Edi Ramës.
Tjetër, atyre që bëjnë pyetjen se ku do ti gjejë Berisha lekët. Po. Ja këtu afër i kemi.
A e dini ju që rruga për tu shtuar me dy korsi, rruga Tiranë-Durrës, ishte parashikuar 190 mln. Lubi Balluku dhe Edi Rama e kanë çuar në 290 mln euro për të vjedhur. Por unë u them ju, se në asnjë vend të botës shtimi me dy korsi 34 km autostradë, nuk mund të shkojë kurrë më shumë se 50 mln euro.
Me 4 korsi janë ndërtuar autostradat, ndërtohen edhe sot në Kroaci me 1.2 mln euro.
Atëherë para, ata që thonë se ku do i gjejmë paratë, do të ua marrin ju o hajdutë.
Sepse vetëm në rrugën Tiranë-Durrës, ne do të kursejmë, duke e zgjeruar atë me standardet më të mira, do kursejmë 240 mln euro.
Pra u bënë së bashku me Ismailin e Ramës, 20 mln euro, me paratë e rrugës së Ndroqit u bënë gjithsej 320 mln euro”, tha Berisha.