“Djali im ka luftuar për kombin shqiptar”, babai i Hashim Thaçit: E pres të vijë faqebardhë

Familjarët e ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, janë në vëmendjen e mediave dhe publikut të gjerë pas një zhvillimi të papritur në Hagë, ku Thaçi u arrestua dhe po gjykohet për krime lufte, nën akuza të njëjta si kriminelët serbë, të cilët kanë kryer vrasje masive kundër popullsisë së Kosovës në vitet e luftës.

Arrestimi i tij nga Haga ndërsa ishte ende President e ka dobësuar pozicionin e Kosovës në bisedimet me Serbinë, nën absurditetin e trajtimit të luftës çlirimtare si një luftë e një grupi kriminal.

Vendimet e fundit të Gjykatës së Hagës për të arrestuar disa nga figurat kryesore të Luftës Çlirimtare të vendit, e tashmë të rëndësishëm në jetën politike të tij, u kryen në heshtje.

U dërgua një avion special i linjës së drejtpërdrejtë me Holandën në aeroportin e Kosovës, i cili ka qëndruar prej disa ditësh atje, para se të merrte udhëtarët e rëndësishëm.

Çështja ka tronditur opinionin publik, por mbi të gjitha, familjarët e të arrestuarve.

Haxhi Thaçi, babai i ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se i biri i tij qëllim të vetëm ka pasur që të punojë që Kosova të çlirohej.

Në kohën kur po mbahej seanca e parë ndaj Hashim Thaçit në gjyqin e Gjykatës Speciale, Haxhi Thaçi u kontaktua nga mediat në Kosovë, por ka thënë se nuk mund të japë intervistë para kamerës për shkak se ndjehet i rënduar emocionalisht. Pas kamerës ai ka arritur të shprehet me pak fjalë.

“E di që djali ynë ka pasur ideale dhe ka luftuar për kombin shqiptar. 

Qëllimi i tij kryesor ka qenë që të jemi të lirë. E presim që djali ynë të kthehet shumë shpejt faqebardhë”, ka thënë Haxhi Thaçi në “Klan Kosova”./tpz