Ditëlindja e parë i izoluar, Berishës i mbushet shtëpia me lule

Dje, më 15 Tetor 2024, kryedemokrati Sali Berisha feston 80 vjetorin e lindjes. Në këtë ditëlindje, ai thotë se ndihet i frymëzuar, i motivuar dhe më krenar se kurrë me të gjithë mbështetësit e tij.

“Miq, kjo është ditëlindja që unë ndjehem më i frymëzuar, më i motivuar dhe më krenar se kurrë në jetën time me ju. Më mirënjohës se kurrë ndonjëherë për guximin, për sakrificën, për trimërinë, për atdhedashurinë, për qenien tuaj shqiptarë mbi shqiptarë.”

Si kurrë më parë, një lloj mesazhi të tillë ai e dha nga dritarja e banesës së tij. Besimin më të madh Berisha e ka te shqiptarët, që sipas tij në zgjedhjet e fundit lokale votuan ‘kundër Shqipërisë pa opozitë’.

“U treguan barin ata që ecin të zhveshur nga çdo normë morale, kërkuan t’u trembin, t’u mposhtin.
Por ju dhatë leksionin më demokratik, më të guximshëm, më atdhetar se kurrë ndonjëherë.
Ju treguat veten shqiptarë të vërtetë. Treguat veten qytetarë për të cilët busulla e jetës është e vërteta.
Në kushte më të pabarabarta, ata që me skenarin e tyre makabër besuan se zgjedhjet e majit të vitit 2023 do të ishin fundi i opozitës dhe PD, morën leksionin që meritonin.”

Edhe pse po bëhet thuajse 1 vit që ai ndodhet në “arrest në shtëpi”, aktivitetin e tij politik e vijon me të njëjtën energji dhe vendosmëri.

“Se fuqia para së gjithash dhe mbi të gjitha qëndron tek e vërteta. Se forca qëndron tek e vërteta.”

Edhe gjatë konferencës për shtyp këtë të Martë, ai e cilësoi këtë ditëlindje si majën më të lartë e të bukur të jetës së tij. Në Facebook, Berisha ka ndarë edhe një foto me bashkëshorten ku fokusin kryesor e zënë lulet dhe torta me mbishkrimin “Gëzuar ditëlindjen Doktor Berisha!”.