Revolta e qytetarëve pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha vijon edhe pas dorëheqjes së ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj. Sot protesta ka nisur nga Kamza.
Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se dhjetëra njerëz, kryesisht të rinj kanë dalë në rrugët e Kamzës për të ardhur më pas në qendër të kryeqytetit, ku në orën 18:00 është paralajmëruar protesta e radhës që nisi si një revoltë për vrasjen nga policia të të riut dhe solli dorëheqjen e Lleshajt nga detyra e ministrit të Brendshëm.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama duke iu përgjigjur zërave që kërkojnë shkarkimin e kryepolicit Ardi Veliu deklaroi sot se një gjë të tillë duhet “ta harrojnë”.
“Kërkojnë dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë se ndryshe do djegin e shkatërrojnë? Ta harrojnë! Gabon shumë kush kujton se qytetaria e ministrit të brendshëm është dobësi dhe harron se ky shtet është i qytetarëve jo i barbarëve! Pushteti merret me votë jo me djegie!”, deklaroi Rama./Bw