Dinko Cvitan & Arben Kraja/ Ku ndryshon kreu i SPAK me prokurorin që arrestoi kryeministrin kroat

Prokurorët e SPAK me një letër dërguar Kuvendit kanë kërkuar që ata që janë emëruar si prokurorë të SPAK, të rrijnë përjetësisht në karriget e SPAK.

Humori është që mandatin e përjetshëm e kërkojnë pothuajse si kusht që të bëjnë detyrën. Pra si kusht që të ushtrojnë zanatin e prokurorit.

Kjo është kërkesa e pestë radhazi e bërë nga SPAK përfaqësuar këto 3 vjet nga Arben Kraja. Të gjitha kërkesat kanë patur lidhje me plotësim pretendimesh dhe nevoja për benefite të reja.

SUPERMARKET VEIZI













Me rroga 80% më të larta se prokurori më i paguar i sistemit të prokurorisë, me benefite lidhur me moshën e daljes në pension dhe të tjera, tani Arben Kraja po kërkon që ato benefite të mos i gëzojë vetëm për 9 vjet, por i do për gjithë jetën.

9 vjet është një jetë e tërë sidoqoftë, por 9 vjet nuk i mjaftojnë prokurorëve të SPAK për të bërë detyrën.

Dhe si pa gjë të keq, kërkojnë që Kushtetuta të ndryshojë dhe neni 148/dh në paragrafin 2, të rishkruhet duke hequr afatin 9 vjeçar të mandatit për 10 prokurorët e radhës, dhe duke shkruar emrat e këtyre prokurorëve ekzistues.

Sigurisht duke filluar me emrin e Arben Krajës.

Dhe këtë e kërkojnë me arsyetimin se duke ua vënë emrat në Kushtetutë, këta do jenë të qetë dhe do të mund ta bëjnë luftën rehat pastaj!

9 vjet nuk ju mjaftojnë!

Emërimi nga KLP për 9 vjet nuk ju mjafton. Duan emrat në Kushtetutë. Sepse kështu mund të pavarësohen.

Dinko Cvitan është prokurori që ngriti akuzën kundër Sanader në Kroaci.

Shpesh është cilësuar si njeriu që kreu aktin që i hapi Kroacisë derën e Europës. Sot Dinko Cvitan është prokuror i thjeshtë Apeli në Kroaci. Nuk është arratisur jashtë nga ndonjë pasojë për atë që bëri gjatë detyrës!

Nuk mban asnjë post drejtues në sistem.

Arben Kraja sa herë ka folur, ose ka kërkuar benefite, ose i kemi dëgjuar historitë me telefonata ndaj gazetarëve duke tentuar që të fshihej pas tyre

Dinko Cvitan gjatë një interviste të dhënë në një prej vizitave të veta në Shqipëri thoshte: “kush kërkon makina nuk bën për këtë punë. Kjo është një punë që e bën dot vetëm dikush që është i mençur dhe ka zemër.”

Arben Kraja pasi mori plus 80% te rrogës, pasi mori shtesë stafi, vazhdoi të kërkojë makina, zyra të reja dhe tani edhe mandat të përjetshëm.

Dinko Cvitan bëri histori dhe tani vazhdon punën si prokuror Apeli.

Gjithçka kërkon Arben Kraja bëhet dhe të gjitha bëhen me justifikimin se pasi t’u plotësohet, këta te SPAK do fillojnë të “bëjnë punën”.

Por është e qartë.

SPAK i kërkon Ramës të ndryshojë Kushtetutën si kusht për mbylljen e dosjeve. Kjo është “puna” që Arben Kraja po premton të bëjë.

Ajo që po kërkon sot Arben Kraja është ndryshim Kushtetute. Dhe Rama nuk i ka votat për Kushtetutën.  Por Luli që po kërkon Vettingun e vetes së vet nga Arben Kraja i ka votat që i duhen Ramës.

Një gjë është e qartë!

Prokurorët e SPAK kanë dosje të Ramës dhe ministrave te Ramës mbi tavolina. PorN Arben Kraja nuk është Dinko Cvitan. Ndaj nuk bën dot detyrën.

Nëse maxhoranca nuk ka dosje në SPAK, atëhere duhet të mbrojë afatet e mandateve sipas teksteve të reformës.

Nëse ju plotësohet kjo kërkesë, këta të SPAK si kusht “për të bërë punën” do kërkojnë përsëri e përsëri.

Me emrin e shkruar në Kushtetutë Arben Kraja mund të kërkojë çdo tender, çdo konçesion, çdo kontratë.

Dinko Cvitan kishte të drejtë. Për të bërë drejtësi duhen njerëz të mençur dhe me zemër.

Arben Kraja nuk eshtë Dinko Cvitan!

BURIMI: CNA.al