James dhe Marcos Doshi, dy djemtë e Tom Doshit, janë shpallur në kërkim sot nga Policia, të akuzuar se kanë rrahur një person dhe më pas kanë dhunuar edhe efektivët e policisë.
Ngjarja është regjistruar në zonën e ish-Bllokut, ku James Doshi, 22 vjeç, vëllai i tij, Marcos 20 vjeç dhe shoku i tyre, 34-vjeçari Eduart Laskaj i arrestuar, janë përfshirë në një konflikt me një 38-vjeçar, duke e goditur atë me sende të forta.
Në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë, por tre të rinjtë nuk i janë bindur efektivëve, duke i kundërshtuar dhe më pas i kanë goditur.
Laskaj ka deklaruar se sherri me 38-vjeçarin kishte nisur në rrjete sociale dhe më pas agravoi në ish-Bllok.
Dy djemtë e Tom Doshit akuzohen për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Goditja për shkak të detyrës”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Prishja e qetësisë publike”, të kryera në bashkëpunim.
Shoku i tyre akuzohet për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës”, “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Prishja e qetësisë publike”.