Mes dhimbjes dhe lotëve vogëlushi Mateo Vasiu është përcjellë për në banesën e fundit. Arkëmorti i 8-vjeçarit ka dalë për herë të fundit nga banesa në orën 11:00.
Dhimbja është e madhe për familjen. 8-vjeçarit iu mor jeta në mënyrë makabre një ditë më parë nga fqinji i tij, 38-vjeçari Klodian Çalamani.
Gazetarja Xhensila Kodra, ndodhet në fshatin Grecalli, ndërsa bën me dije se banesa e 38-vjeçarit vijon të jetë ende vend krimi për policinë. Çalamani u arrestua ditën e djeshme, ndërsa para hetuesve ka pranuar krimin. Ai ka pohuar se ka goditur me lopatë me vogëlushin dhe më pas e groposi në oborrin e banesës së tij.
Si ndodhi ngjarja e rëndë?
Dje vogëlushi sëbashku me vëllain e tij 14 vjeçar nuk kishin shkuar në shkollë. Pasdite nëna e tyre Florida Vasiu, pasi ishte kthyer nga puna vuri re mungesën e të birit dhe nisi ta kërkonte në lagje. Pa arritur ta gjente ajo shkoi në polici për të denoncuar humbjen e vogëlushit.
Dyshimet e banorëve, të cilët e kishin parë fëmijën duke përdorur biçikletën e 38-vjecarit Klodian Çalamani e çuan policinë të kontrollonte banesën e tij.
Autori fillimisht nuk e pranoi krimin por më pas është “thyer” përpara hetuesve duke pranuar vrasjen dhe treguar vendin ku e kishte groposur. 8-vjecari u gjet i pajetë dhe i mbuluar me baltë në oborrin e shtëpisë së Çalamanit.
Autori është shprehur se pasi fëmijës i kishte dhënë biçikletën ta përdorte, 8-vjeçari, sipas tij e kishte sharë. Ky ka qenë sipas tij edhe motivi për të cilën ai e kishte goditur të miturin me lopatë në kokë dhe në trup.
E gjithë kjo ndodhi në portën e shtëpisë së tij. Më pas Klodian Çalamani e ka zhvendosur trupin e pajetë të vogëlushit në oborr ku dhe e ka groposur.
Disa tregojnë se 38-vjeçari, jetonte i vetëm dhe nuk punonte rregullisht. Shpesh ai shihej i dehur në fshat. Klodian Çalamani ka qenë i dënuar edhe më parë për rrëmbim personi.
Në vitin 2006, së bashku me shokun e ti Florian Vasiu, që është edhe xhaxhai i fëmijës së vrarë, kishin marrë peng një 16-vjeçare të cilën e torturuan dhe e kërcënuan.
Ata u dënuan nga Gjykata e Fierit me nga katër vite burg me akuzën për rrëmbim. Pas vuajtjes së dënimit ai ishte rikthyer në fshatin Grecalli të Fierit duke kryer krimin e radhës.