Detaje të reja zbardhen nga krimi horror në Itali, ku u gjetën dy trupa të copëtuar dhe të futur në tre valixhe, dhe që dyshohet se i përkisnin një çifti shqiptar. Mediet italiane raportojnë sot se policia është vendosur në kërkim të një valixheje të katërt, pasi mungojnë disa pjesë të trupave të viktimave.
Mediet shkruajnë se së pari është gjetur një valixhe me bustin dhe një këmbë të burrit, pastaj një tjetër me gjymtyrët e poshtme të gruas dhe në fund valixhja e tretë me bustin e saj. Ndërkohë, policia italiane thekson se mungojnë gjymtyrët e poshtme të burrit dhe për këtë arsye ka nisur kontrollet me qen të specializuar në të gjithë zonën e Firenzes.
Ndërkohë, ka dalë dhe autopsia e gruas, ku thuhet se është rrahur barbarisht, pasi kishte shumë hematoma në fytyrë dhe shumë kocka të thyera. Kufomat u gjetën ditën e djeshme në zonën midis Firences-Pisa-Livorno dhe burgut Solliçiano, ku autoritetet italiane dyshojnë se bëhet fjalë për trupat e çiftit shqiptar nga Vlora Shpëtim dhe Teuta Pasho, të cilët u zhdukën pa lënë gjurmë në Castelfiorentino më 2 nëntor 2015.