Detaje/ Vrasja e ish- kryetarit të komunës së Velipojës, Gruaja: Nuk dëgjova të shtëna, e pashë në tokë


Detaje të tjera kanë dalë në dritë nga vrasja me armë zjarri të ish-kreut të Komunës së Velipojës, mbrëmjen e sotme në Shkodër.

mëson se 64-vjeçari është ekzekutuar me armë me silenciator nga një person ende i paidentifikuar. Pashko Ujka është qëlluar në afërsi të banesës së tij teksa ishte nën shoqërinë e bashkëshortes. Kjo e fundit ka deklaruar në polici se nuk ka dëgjuar gjë në momentin e ekzekutimit deri kur ka parë të shoqin që është rrëzuar në tokë.

Nga informacionet deri më tani, mësohet se policia po heton në dy pista. Pista e parë është ajo që lidhet me punën e tij si ish-kryetar i Komunës së Velipojës ndërsa pista e dytë e hetimit ka të bëjë me disa borxhe që ai ka akumuluar ndër vite.

Ndaj 64-vjeçarit është bërë disa herë atentat, madje ka rënë pre e dhunës nga persona të tjerë. Në një rast mësohet se kanë qëlluar me armë zjarri në ajër në afërsi të banesës së tij.

Dy herë Pashko Ujka është goditur fizikisht. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 18:00 në lagjien “Vasil Shanto” në qendër të Shkodrës. Ai është qëlluar me plumb pas shpine. Fillimisht u dërgua në spital, ku pavarësisht përpjekjeve të mjekëve nuk ka arritur t’i mbijetojë plagëve të marra.

Njoftimi paraprak i Policisë së Shkodrës për ngjarjen:

Rreth orës 18:15, në  lagjen “Vasil Shanto” Shkodër, në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri shtetasi P. U., 64 vjeç, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Në vendngjarje kanë mbërritur  menjëherë shërbimet e Policisë  dhe vijon krehja e  zonës  me qëllim kapjen e autorit.

Grupi hetimor  nën drejtimin e Prokurorisë po  vijon punën për  sqarimin e rrethanave dhe zbardhjen e ngjarjes