Shumë nga viktimat dhe të plagosurit nga tërmeti në ishullin indonezian Java ishin fëmijë, thonë ekipet e shpëtimit, ndërsa numri i të vdekurve shkon në 268.
Aprizal Mulyadi, 14 vjeç, ishte në shkollë kur ra tërmeti.
“Mbeta i bllokuar, muret u shembën dhe këmbët e mia mbetën nën rrënoja”, tregon ai.
Ai u shpëtua nga miku i tij Zulfikar, i cili ndërroi jetë pasi vetë mbeti bllokuar.
Më shumë se 1000 njerëz u plagosën, thanë zyrtarët. Në njoftimet e saj të fundit të martën, Agjencia Kombëtare e Fatkeqësive (BNPB) shtoi se 151 persona ishin ende të zhdukur.
BNPB njoftoi gjithashtu se 22.000 shtëpi ishin dëmtuar dhe se më shumë se 58.000 njerëz ishin strehuar në disa lokacione në rajon.
Tërmeti me magnitudë 5.6 goditi një rajon malor të hënën, duke shkaktuar rrëshqitje dheu që ‘varrosën’ fshatra të tëra pranë qytetit Cianjur.
“Gjithçka ndodhi kaq shpejt”, tha Aprizal për agjencinë e lajmeve AFP.
Një përfaqësues i Agjencisë Kombëtare të Kërkimit dhe Shpëtimit konfirmoi gjithashtu se shumë nga të vdekurit ishin të rinj.
“Shumica e viktimave janë fëmijë sepse në orën 13:00, ata ishin ende në shkollë”, tha Henri Alfiandi.
Tërmeti, i cili goditi në një thellësi prej 10 km, u pasua nga dhjetëra pasgoditje që shkaktuan më shumë dëme pasi u shembën shtëpitë e ndërtuara keq.