Pas më shumë se 1 viti hetimesh, SPAK ka arrestuar ish-ministrin Ilir Beqajn i cili akuzohet për ‘shpërdorim detyre’ në përfitimin e fondeve të BE përmes faturave fiktive dhe tenderave me çmime të “fryra” dhe fitues të zgjedhur kohë para se të shpalleshin tenderat.
Sipas dosjes hetimore, për një konference për turizmin të quajtur ‘Festa’ në datat 03-05 Prill 2023, që do të bëhej në restorantin ‘Gzona’, me pronar defakto Ilir Beqaj janë paguar dy fatura, një nga agjencia që drejtonte Ilir Beqaj, e cila ka paguar faturën 125.000,00 Euro dhe një tjetër nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit me vlerë 38.509.550 lekë, (380 mijë euro) ndërkohë që SPAK thotë se i vetmi shërbim i ofruar për eventin nga kjo shoqëri tregtare ishte organizimi i darkës, në një vlerë prej 4.1 milionë lekësh të reja. Pra në total janë dhënë 500 mijë euro.
Ndër të tjera, SPAK njofton se janë kryer edhe kontrolle në banesat e të arrestuarve dhe në njërën nga zyrat e shoqërisë tregtare ku janë sekuestruar dokumente dhe blloqe me shënime, shuma parash prej afro 47.000 euro dhe 700.000 lekë të reja, aparate telefoni dhe kompjutera me interes për hetimin etj.