Ka ndërruar jetë i riu Aleksandër Sadikaj pasi mbeti i plagosur rëndë kur mjeti tip Benz që ai drejtonte shpërtheu nga një eksploziv.
“Në lidhje me lajmin e dhënë pak më parë se në afërsi të TEG-ut, në automjetin tip “Benz”, në pronësi të shtetasit A. S. ka shpërthyer, dyshohet lëndë eksplozive, ju informojmë se: Si pasojë e plagëve të marra, drejtuesi i mjetit, shtetasi A. S. ka ndërruar jetë në spital”, thuhet në njoftimin e policisë.
Detaje të tjera janë zbardhur për ngjarjen e rëndë të ndodhur pasditen e sotme në Sauk, ku makina tip “Benz” e 27-vjeçarit Aleksandër Sadikaj u hodh në erë me tritol në ecje e sipër.
Burime bëjnë me dije se Sadikaj, i cili ndërroi jetë në spital pas plagëve të marra është nga qyteti i Beratit dhe ka qenë më parë i proceduar për tentativë vrasje.
Sipas të njëjtave burime automjeti me të cilin viktima udhëtonte, është i regjistruar në një tjetër emër.
27-vjeçari ka qenë i vetëm në automjet dhe prej forcës së shpërthimit, fillimisht i janë këputur gjymtyrët pasi dyshohet që lënda plasëse të jetë vendosur në krahun e drejtuesit të mjetit.
Burime nga policia bëjnë me dije se po hetohet e shkuara. Ndërkohë që policia ka ngritur postblloqe në hyrjet dhe daljet e kryeqyteti për kapjen e autorëve.