“Deputeti nuk është i Bashës dhe i Berishës, por i qytetarëve”/ Ish-kryeministri: I dhashë mbështetjen një njeriu që nuk e meritoi! Të bashkuar, të fortë dhe të hapur përmbushim misionin e PD

 

Ish-kryeministri Sali Berisha në takimin e tij me demokratët kërkoi ndjesë për mbështetjen e dhënë ndaj kreut të PD, pasi sipas tij nuk e ka merituar.

Ish-kryeministri u shpreh se në vitin 2017 i ka kërkuar Bashës të largohet, por kjo është kundërshtuar nga ky i fundit.

Më tej Berisha tha se vetëm të bashkuar dhe të hapur mund të arrijnë të përmbushin edhe qëllimin për të cilën është krijuar Partia Demokratike.

“Kërkoj ndjesë për mbështetjen që i kam dhënë një njeriu që nuk e meritoi. Pas 23 vitesh në politikë, mendova që duhet të hap krahun dhe një gjeneratë tjetër duhet të çojë Shqipërinë para. Nga njëra anë them se hapja e krahut nuk ishte e gabuar, por nga ana tjetër personi që u zgjodh nuk e meritoi mbështetjen. Në 2017 i kërkova të jepte dorëheqjen , por ai mu përgjigj jo.

Berisha i sugjeron mbështetësve të tij në Sarandë që të takohen me deputeten për ti treguar asaj të gjitha firmat e demokratëve të Sarandës.

“Deputeti nuk është as i Lulzim Bashës as i Sali Berishës është i qytetarëve. Të bashkuar të fortë dhe të hapur, kështu PD mund të përmbushë misionin e saj”, tha ai.

Ndërsa gjatë këtij takimi një nga qytetarët i pranishëm në sallë tha se tashmë ka ardhur koha që kreu i PD Lulzim Basha të largohet, duke shtuar se slogani tani duhet të jetë “Luli ik”.