Deputeti i PD, Belind Këllici tha se Rama po mban peng Partinë Socialiste me paratë e inceneratorëve.
Në fjalën e tij ne proteste, Kellici u shpreh se Shqipërinë e vërtetë sot e kemi para syve, duke iu referuar aferës se inceneratoreve.
“Nuk ka fare komitet ekspertësh dhe as bord çmimesh, janë këta të dy, që kanë blerë PS me paratë e lejeve të ndërtimit dhe po e mbajnë peng me paratë e Inceneratorëve.
Çdo ditë ikin specialistë, Shqipëria e vërtetë ka aromën e varfërisë. Pensionet dhe ndihmat nuk dalin për ushqime bazike. Imagjinoni me çfarë luftë përballet një i papunë në Shqipëri.
Fermerët hedhin prodhimet dhe kostoja i ka marrë atyre dinjitetin.
Ne e kemi shembullin para syve tanë prej ditësh. Shqipëria e vërtetë është ajo e asaj zonjës 90 vjecare ne azil që nuk ka kush kujdeset dhe nuk kursen dot 600 mijë lekë.
Shqipëria që do Rama janë ata ministra që kanë ato 30 mln dollarët që figurojnë në emër të asaj 90 vjecare dhe nuk di asgjë.
Për të cilat ajo nuk di asgjë. Shqipërinë mund ta shpëtomë vetëm ne, ju qe jeni këtu dhe shumë të tjerë që do na bashkohen
Kjo është një çështje që i përket. I them cdo socialisti të ndershëm, ku e shihni ndershmërinë te Rama? Tek asfaltet, tek inceneratoreve apo tek përgjimet e bild.
Shqipëria nuk është e varfër, e ka varfëruar ky. E ka vjedhur cep më cep. I pangopur me parë tuaja, me taksat dhe djersën tuaj. Kurrë mos thoni më ç’më duhet mua”, tha Kellici.
FJALA E PLOTË
Për të gjithë ata që kishin shqetësim temperaturat e larta, që thonë jeni në verë e s’kemi mbështetës le ta dëgjojë Rama deri në Vlorë: “Rama Ik”.
Ju vini në Tiranë, ky ja mbath nga Tirana se i dhembin sytë kur ju sheh në shesh. Vetëm për të penguar sot kishte urdhëruar mësuesit të qëndrojnë në punë. Iku dhe mori e kërpudhën me vete. Një burrë shteti do qëndronte këtu ti dëgjonte në sy qytetarët e tij. Por ky iku se i tillë burrë është. “Shqipëria që duam”, e këtyre këtu ngjitur vrau Shqipërinë e shqiptarëve, Shqipërinë tuaj. Shqipëria e Edi Ramës, Belindës, Elisës, Çuçit, Agaçit, mund të jetë vërtetë e bukur, idilike, vjen aromë parfumi, francez, ka rroba italiane, shijen e restoranteve nga Dubai, ka adrenalinën e udhëtimeve të klasit të parë. Kjo Shqipëri e këtyre dhe njerëzve që rrethojnë nuk ka të sharë. Kjo botë e tyre erdhi në jetë, u rrit dhe po majmet çdo ditë mbi Shqipërinë e shumicës së shqiptarëve duke iu marr të gjitha pasuritë.
Kjo bandë në pushtet, është banda e inceneratorëve dhe këtyre ndërtimeve. Edi Rama dhe Erion Veliaj janë gati duke ju nxjerr sytë njëri-tjetrit nga aferat e pista ku kanë future duart. S’ka komitet ekspertësh dhe bord çmimesh, janë këta dy që e mbajnë peng Shqipërinë me paratë inceneratorëve. Shqipëria e vërtet ka aromën e varfërisë, pasi të ardhurat e ulëta, pensionet e ndihmat s’dalin më për të marrë as gjysmën e ushqimeve bazike. Shqipëria ka pamjen e mundit të fermerëve që hedhin produktin, pamjen e shumicës që ka vështirësi të mbyllë muajin, të paguajë dritat e ujin. Ne e kemi shembullin para syve përditë. Shqipëria e vërtetë është ajo e zonjës 90-vjecare në azil që s’tërheq dot kursimet e jetës së saj. Shqipëria që duan këta është ajo e ministrave dhe ish-ministrave që kanë ato 30 milionët e asaj zonjës. Shqipërinë e vërtetë e bëjmë ne që jemi sot këtu dhe ata që do të na bashkohen në ditët dhe muajt e ardhshëm. I them çdo socialisti të ndershëm, ku e shihni ndershmërinë e Edi Ramës. A keni ju avion privat për të takuar fëmijët tuaj në mërgim. Ku është rindërtimi, mashtrime që të gjitha. Ku do I gjeni paratë për të mbushur tryezat, me çfarë rrogash do ti mbushni makina do ti blini ushqimet? Shqipërinë e ka varfëruar ky, ndaj kurrë mos thoni më ç’më duhet mua se shpëtimi i vendit tonë tani është kthyer në detyrë patriotike. Poshtë babëzia, poshtë hajdutëria. Rroftë rinia, rroftë Shqipëria.