Këshilli i Mandateve është mbledhur për kërkesën e deputetëve të PD për heqjen e imunitetit ministres së Jashtme dhe deputetes së PS Olta Xhaçka.
Në këtë mbledhje po shqyrtohet mocioni i 1/10 i deputetëve përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit te mandatit të deputetes Olta Xhaçka.
Ishte kryetarja e Komisionit, Lindita Nikolli ajo që hapi mbledhjen, ndërsa lexoi edhe rregulloren. Ndërkohë, nga ana e opozitës ishte kreu i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Aliebaj ai që theksoi se kërkesa është nënshkruar nga 14 deputetë.
“Nja 1/10 e deputetëve të parlamentit është kërkuar pavlefshmëria e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.
Kërkesa është e nënshkruar nga 14 deputetë. Përveç depozitimit të mocionit, janë të bashkëlidhur dhe faktet dhe provat përkatëse, vendimet e Komisionit të Investimeve strategjike, dhënien e statusit të investitorit strategjik të shoqërisë që ka lidhje me znj. Xhaçka. Ekstratet nga institucionet që përcaktojnë kush është administratori i shoqërive përkatëse. Kërkesa i ka të gjithë elementët. Janë përcaktuar qartësisht dispozitat ligjore, shkelja e tyre, analiza e fakteve dhe pjesa e provave. Sa i përket shtjellimit të përmbajtjes, do ta bëjë z. Korreshi.”, tha Alibeaj.
Mbledhja në fjalë u kërkua nga opozita, pas akuzave se bashkëshorti i Xhaçkës ka përfituar si investitor strategjik tokë në bregdet.