Dënohet me 2 vite burg ish-kryeprokurori Adriatik Llalla. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përveç dënimit me burg, ka vendosur që Llallës t’i hiqet për 5 vite e drejta për të ushtruar funksione publike.
Pasuria e tij kalon në favor të shtetit. Bëhet fjalë për 4 sipërfaqe toke, në total 22 mijë metra katrore dhe 1 apartament në Durrës.
Në një lidhje direkte për ‘News24’ gazetarja Lala tha se ish-kryeprokurori akuzohet për deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë, ndërsa theksoi se ky ishte vendim i shkallës së parë.
“GJKKO vendosi të cilësojë fajtor sot ish-prokurorin e përgjithshëm për akuzën e deklarimit të rremë dhe fshehjes së pasurisë. Gjyqtarja Daniela Shirka vendosi që për 5 vite të mos ushtrojë asnjë funksion publik dhe të sekuestrohet pasuria e tij. GJKKO kishte njoftuar se do e shpallte vendimin në orën 13:30, por në fakt gjyqtarja vonoi më shumë se një orë për të shpallur vendimin. Ajo bëri një rezyme të fakteve dhe provave për të dhënë vendimi dhe u ndal tek pasuritë e blera nga ish-kryeprokurori. Ky është vendimi i parë që GJKKO firmos ndaj një gjyqtari të lartë.”, -tha ajo.
Zoti Llalla në dalje nga godina e gjykatës, nuk pranoi të bënte komente. Ai dëgjoi në heshtje verdiktin i shoqëruar nga avokati Altin Azizaj. Mësohet se në seancë kishte përfaqësues dhe të ambasadës amerikane. Llalla është ish-zyrtari i parë që cilësohet fajtor nga Gjykata e Posaçme e ngritur në kuadër të reformës në drejtësi. Do duhet të pritet verdikti i Apelit për të parë nëse zoti Llalla do të futet pas hekurave për të vuajtur dënimin.
Kujtojmë se hetimi u çel menjëherë pas largimit të tij nga institucioni i Prokurorit të Përgjithshëm, i cili doli nga sistemi duke mos iu nënshtruar vettingut. Dosja kaloi në disa prokurori pasi të kalonte në SPAK. Në morinë e hetimeve SPAK iu drejtua institucioneve të huaja ligjzbatuese dhe autoriteteve gjermane ku ish-kryeprokurori Llalla transferoi familjen e tij në vitin 2017 me arsyetimin se ishte i kërcënuar. Sipas Gjykatës qiraja për apartamentin në Gjermani, por edhe shpenzimet për lindjen e bashkëshortes së tij në SHBA, nuk justifikoheshin nga të ardhurat e ligjshme të ish-kryeprokurorit.
Adriatik Llalla u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm në vitin 2012 dhe e mbajti këtë post deri në nëntor 2017, kur i mbaroi mandati 5-vjeçar dhe u zëvendësua nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku. Hetimi ndaj Llallës u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 mars 2018 nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave. Ai u hetua edhe për veprën penale të “mosdeklarimit të shumave monetare në kufi”.