Amnistia penale rrezikon të bllokohet sërish për shkak të pazareve. Edhe pse ka mbi dy muaj që zvarritet në komisione për shkak të kaosit parlamentar, PS ka bërë një manovër e cila sërish mund të bllokojë draftin.
Në mënyrë të fshehtë, dje në Komisionin e Ligjeve është hequr një pikë në draft, pikë e cila ndalonte përfshirjen në amnisti të personave të dënuar nga Gjykatat e Posaçme. PS duke marrë shkas dhe nga një propozim i demokratit Bledion Nallbati, e ka hequr kufizimin dhe në këtë mënyrë do të përfitojnë ulje dënimi 1 deri në 1.5 vite burg edhe ata që janë dënuar nga GJKKO.
Por ku është problemi? Problemi qendron te fakti se me këtë amnisti i bie të dalin nga burgu të gjithë ata zyrtarë që janë dënuar së fundmi. Ose më së paku do t’u ulet më shumë se gjysma e dënimit.
Sipas të dhënave të SPAK, për vitin 2022 (për vitin 2023 mungojnë statistikat) janë dënuar me vendim të formës së prerë 207 të pandehur, nga të cilët: me burgim janë dënuar 158 persona. Shumica e tyre përfiton ulje dënimi.
Ndërkohë kemi disa zyrtarë të dënuar që po ashtu mund të marrin ulje dënimi apo liri. Emri më i fundit është Safet Gjici, i dënuar me 2 vite burg. Po ashtu janë dy ish-kryebashkiakët e Bulqizës, Fran Tuci e Lefter Alla që përfitojnë ulje dënimi. Tuci është dënuar me 1.3 vite burg, ndërsa Alla me 2 vite burg. Mbetet të shihet varianti final i ligjit, por fillimisht përcaktohej liri për këdo të dënuar nën 3 vite burg. Pra emrat më lart mund të lirohen nëse drafti kalon.
“Përjashtohen nga vuajtja e dënimit: a) personat meshkuj, dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me
burgim deri në 3 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën ose një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 30.11.2023, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi; b) personat femra, dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 4 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën ose një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 30.11.2023, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi“, thekson drafti.
Kemi Alqi Bllakon dhe Lefter Kokën, të cilët janë dënuar nga GJKKO për aferën e inceneratorëve dhe po ashtu përfitojnë. Bllako deri tani është dënuar me 2.8 vite burg dhe mund të lërë qelinë. Koka përfiton ulje dënimi. Po ashtu kemi ish-kreun e Kushtetueses, Bashkim Dedja i dënuar me 6 muaj burg, konvertuar në shërbim prove. Po ashtu ka dhe funksionarë të niveleve më të ulta. Ndërkohë nuk preken emrat nën hetim dhe që nuk kanë vendim nga GJKKO.
Por pavarësisht parashikimeve në ligj, ka më shumë shanse që ky draft të mos miratohet nesër. Grupi i Sali Berishës ka paralajmëruar se do të vijojë kaosin dhe Gazment Bardhi e paralajmëroi se ata nuk bashkojnë votat me Ramën. Plani ishte që të bashkonte votat me Bashën, pasi duhen 84 vota. Por me amnistimin e zyrtarëve, grupi i tij është tërhequr, që do të thotë se drafti me gjasë nuk kalon. Pra duket se kemi të bëjmë me një lojë pazaresh. PS mundohet të luajë si me Bashën, ashtu dhe me Berishën.