Dashamir Shehi shpërthen ndaj çiftit Meta dhe Kryemadhi: Opozita s’ka nevojë për LSI, është parti që shkon pas interesit


Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar dhe aleati i Partisë Demokratike, Dashamir Shehi shfaqi kritika ndaj presidentit IlirMeta, kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhit dhe vetë LSI.

Në një studio televizive, Shehi e konsideroi LSI një parti me vijë politike të paqëndrueshme që është bërë pjesë e qeverive të ndryshme të drejtuara nga PD dhe PS. Ai shtoi se ky lloj modeli politik nuk i pëlqen. 

Lidhur me kreun e shtetit Ilir Meta, i cili ka premtuar se do luftojë politikisht në opozitë kryeministrin Edi Rama dhe PS, Shehi kujtoi se Meta u zgjodh president me dëshirën e vetë Ramës në 2017, kohë kur opozita nisi rezistencën qytetarë me “çadrën”. 

Ai sulmoi ish-ministra të LSI që kanë shërbyer në qeveritë e 2009-2013 dhe 2013-2017 dhe që sot shfaqen si opozitarë. “LSI i ka të gjitha zig-zaget e veta. Njëherë u bë me Ramën. Meta po del president si opozitar, por u bë president nga PS me sallën bosh me opozitën në çadër.

Meta u zgjodh president nga PS, nga Edi Rama personalisht me opozitën në çadër. Unë kam frikë se një pjesë e këtyre njerëzve kanë zig-zage, një dashuri për pushtetin. Këtu ka opozitarë që janë 6 muaj ministër në një qeveri, 6 muaj në një qeveri tjetër nga pala tjetër. 

Kjo nuk më pëlqen dhe nuk është serioze për qytetarët”, deklaroi Shehi. Megjithatë, ai kërkoi që LSI dhe Meta të kryejnë luftën politike ndaj PS dhe Ramës në mënyrë të veçuar dhe më pas t’i bashkohen frontit opozitar. Sipas tij, kjo është mënyrë më e mirë forcimit të këtij fronti dhe sigurimit të besimit të shoqërisë. 

“Edhe kur erdhi LSI 4 vjet përpara kam qenë i një ideje që opozitarët nuk kanë nevojë të lidhen me zinxhirë me njëri-tjetrin. Mund ta bëjnë opozitën dhe veç e veç. Kur vijnë zgjedhjet dhe bashkohen.

Ne u përqafuam si vëllezërit dhe kur erdhën zgjedhjet, u ndamë. Do preferoja një histori tjetër, të kthehemi pas. Le të vinim si opozitarë veç e veç në 2021 me 25 prill dhe në ditën e zgjedhjeve të bashkoheshim. 

Këtë ofertë do t’u bëja kolegëve të mi opozitarë. Le të bëjmë një herë opozitë veç e veç që të certifikohemi si opozitarë dhe kur të vijë dita e zgjedhjeve të bashkohemi. Le ta presim që të vijë të bëjë opozitën. Ditën kur të bëjë opozitën, të nisin bisedimet”, vazhdoi më tej Dashamir Shehi.